Kosova dhe Serbia kanë miratuar udhërrëfyesin për zbatimin e marrëveshjes për energjinë elektrike në veri, ka bërë të ditur përmes një postimi në Twitter, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak.
Marrëveshja për energjinë ishte arritur qysh më 2013, por nuk ishte zbatuar deri më tash. Bëhet fjalë për energjinë që shpenzojnë serbët në veri e nuk e paguajnë.
Në mesin e pikave të marrëveshjes thuhet se ZRRE-ja do të lëshojë një licencë furnizimi dhe do të sigurojë respektimin e kushteve të përcaktuara me licencën e furnizimit, në miratim me kornizën ligjore dhe rregullatorë të Kosovës.
Udhërrëfyesi i plotë për Marrëveshjen e energjisë në veri [DOKUMENT]
“Me kënaqësi të njoftoj se Kosova dhe Serbia sapo miratuan Udhërrëfyesin për Zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga BE-ja. Ky është një hap i madh përpara”, ka shkruar Lajçak.
Zv.kryeministri i parë dhe kryenegociatori, Besnik Bislimi, ka thënë se kjo e arritur në Bruksel, do të mundësojë faturimin e rrymës së shpenzuar në veri të vendit.
“Më në fund kemi miratuar Udhërrëfyesin për Implementimin e Marrëveshjes për Energjinë të vitit 2013 dhe 2015. Kjo mundëson faturimin e energjisë elektrike në 4 komunat veriore të Kosovës, sipas ligjeve dhe sistemit rregullativ të Kosovës”, ka shkruar Bislimi në Twitter.
Very pleased to announce that Kosovo and Serbia just adopted the Energy Agreements’ Implementation Roadmap in the framework of the EU-facilitated Dialogue. This is a major step forward. pic.twitter.com/QbY3W7uyrs
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) June 21, 2022