Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka thënë se në Kosovë s’ka pasur gjenocid ndaj shqiptarëve, në luftën e fundit.
Pas një paneli në Forumin e Prespës në Ohër, e përballur nga gazetarët me shifrat prej më shumë se 1000 fëmijëve të vrarë e 20 mijë të dhunuarve në Kosovë, Bërnabiq ka thënë se “po manipulohet me numra”.
“Nuk ka pasur gjenocid në ‘Kosovë e Metohi’. Nuk ka asnjë dënim apo rast që lidhet me këtë. Territori i ‘Kosovës dhe Metohisë’ është një prej territoreve post-konflikt me më së paku persona të kthyer”, ka thënë ajo duke shtuar se “janë dëbuar thuajse të gjithë serbët nga territori i jugut të Ibrit”.
Që nga ardhja në pushtet, kryeministri Albin Kurti ka paralajmëruar në disa raste padi ndaj Serbisë për gjenocid në Kosovë./Euronews