Gjykata Speciale ka dalë diçka tjetër nga ajo që e kemi paramenduar. Kështu ka thënë të enjten në “Desku” të KTV-së, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
Ai ka deklaruar se Gjykata Speciale është miratuar që ta hetojë raportin e Dick Martyt për akuzat e tij se është bërë trafikim me organe, e të cilat ai i quajti akuza makabre.
Mirëpo siç ka thënë, tashmë kjo gjykatë nuk po i referohet në asnjë prej aktakuzave raportit të Martyt.
“Unë mendoj se qeveria po i zbaton ligjet që kanë qenë në fuqi më herët sa i përket mbështetjes financiare të pjesërishme për mbrojtjen e udhëheqësve të UÇK-së që kanë qenë në këtë proces por që tek e fundit qasja jonë si skenë politike mendoj që ka qenë më se korrekte, ka qenë shembull në kuptimin ndërkombëtar të asaj se si e kemi trajtuar këtë proces pa çka se në gjenezën e tij ky proces e kjo Gjykatë ka qenë diçka tjetër që e kemi paramenduar, e fatkeqësisht po na del diçka tjetër. Ka qenë saktësisht gjykatë për raportin e Dick Martyt, edhe në amandamentin kushtetues i referohet raportit, në ligj po se po dhe sot sot raporti i Dick Martyt nuk eksiton në asnjë prej aktakuzave dhe realisht është e dhimbshme. Vullneti politik ka qenë i ndikuar prej akuzave të çmendura të tij sepse kanë qenë akuza makabre për të cilat krejt Kosova e di se nuk kanë ndodhur asnjëherë dhe ideja ka qenë që le të bëhet gjykata sepse s’ka prej kësaj pune mirëpo sot po shihet që ato kanë rënë në ujë krejt”, është shprehur Krasniqi.