Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, deklaroi se listat e veteranëve janë të fryra, e sipas tij, ato duhet të kalojnë në proces verifikimi.
Krasniqi tha në DESK-un e KTV-së të enjten, se janë pro kategorizimeve të personave që ishin pjesëmarrës në luftën e Kosovës, gjersa tha se mbi 50 mijë persona kanë dhënë kontribut për liri.
"Nëse e heqim ndjesinë partiake, duke u kthyer 23 vjet më herët, duke i menduar kush janë këta, janë djem e vajza që i kanë pasur 20 vjet, e 30, që e kanë rrezikuar jetën duke i dhënë vlerë lirisë, dhe kanë shpëtuar. Shumë prej tyre s’kanë shpëtuar. Njerëzit që protestonin sot kanë mund të mos ishin gjallë. Në themelet e lirisë janë pas të rënëve. Listat janë të fryra, por duhet të flasim për kategorizime. Nuk janë vetëm 50 mijë që kanë kontribuar. Problemi është kur i kategorizojmë. Çka është një pjesëmarrës e çka një ndihmues i luftës”, tha Krasniqi.
Ai tha se zgjidhje për procesin e verifikimit të listave së veteranëve do të ishte edhe themelimi i një komisioni.
Sipas deputetit të PDK-së, Qeveria Kurti po i injoron thirrjet e organizatave të dala nga lufta për përfshirje në Ligjin për pagën minimale. Ai tha se kryeministri Albin Kurti duhet të tregojë që nuk është veteran i luftës.
“Debati ka qenë që t’i kategorizojmë. Kurti duhet të jetë i pari që të tregojë se nuk është veteran. Nuk ka të drejtë të marrë përfitime edhe sikur të ishte veteran sepse ka rrogë. Ata që nuk kanë punë, e kanë këtë me ligj. Paga minimale konsiderohet si pagë që e krijon mundësin për të blerë shportën esenciale. Shporta esenciale është 502 euro, e me 264 euro i bie se 15 ditë mund të blesh bukë. Veteranëve po iu them se as 15 ditë nuk mundin”, tha Krasniqi.