Arbëri

Kosova merr sinjale pozitive për rikthim në ENQA dhe EQAR

MASHTI

Karl Dittrich, president i EQAR-it, gjatë një konference për media të mbajtur bashkë me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka vlerësuar se Kosova ka shënuar përparim në sigurimin e pavarësisë institucionale të Agjencisë së Akreditimit. Duke mos e dhënë ndonjë datë specifike, Dittrich ka theksuar se Kosova mund shumë shpejt të marrë dritën e gjelbër për rikthim në ENQA dhe në EQAR

Sinjale pozitive ka marrë Kosova të enjten për rikthimin në Regjistrin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) dhe në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (ENQA), pas përjashtimit në vitin 2018 për shkak të ndërhyrjeve politike në Agjencinë Kosovare të Akreditimit.

Karl Dittrich, president i EQAR-it, gjatë një konference për media të mbajtur bashkë me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka vlerësuar se Kosova ka shënuar përparim në sigurimin e pavarësisë institucionale të AKA-së. Duke mos e dhënë ndonjë datë specifike, Dittrich ka theksuar se Kosova mund shumë shpejt të marrë dritën e gjelbër për rikthim në ENQA dhe EQAR.

“Presim me optimizëm, ku shpresojmë që të përqafojmë Kosovën dhe AKA-në sa më shpejt që të jetë e mundur si miq në Evropë dhe si partnerë që kanë qenë në të kaluarën. Ne shohim shumë përmirësime. Jemi shumë optimistë dhe shpresojmë që kjo të përfundojë dhe të shpaguhet me anëtarësimin e plotë në ENQA dhe regjistrimin e AKA-së në regjistrin tonë në EQAR”, ka thënë Dittrich, duke shtuar se institucionet duhet që ta vazhdojnë punën për t’i përmbushur kushtet e rikthimit në organizatat evropiane për arsim. “Ne kemi parë përparim të jashtëzakonshëm dhe kjo është e rëndësishme, jo vetëm për shkak të arsimit të lartë, por sigurisht për shkak të së ardhmes së këtij vendi dhe popullsisë së tij shumë, shumë të re. Jemi shumë të kënaqur me Projektligjin për AKA-në, gjë që e kemi diskutuar edhe me deputetët e Komisionit për arsim”, ka theksuar Dittrich.

E meritat për përparimin e shënuar që ka përmendur Dittrichi, Nagavci ia ka atribuuar ministrisë që ajo e drejton dhe Qeverisë aktuale. Ajo ka thënë se rikthimi në organizatat evropiane për arsim është në top-prioritet të institucioneve qendrore.

“Kemi siguruar edhe përmbushjen e kritereve të tjera, siç është sigurimi i objektit modern me mbi 1 mijë metra katror për AKA-në, dhe kemi planifikuar buxhet të mjaftueshëm dhe kemi përkrahur të gjitha programet e AKA-së, ndërsa po e ndihmojmë Agjencinë në rritjen e stafit”, ka thënë Nagavci, duke mos bërë të ditur se sa është paraparë që të rritet numri i stafit në AKA.

Ministrja Nagavci ka shtuar gjithashtu se do të votohet së shpejti në Kuvend edhe Ligji për Agjencinë për Akreditim, i cili përbën kriter për rikthimin në ENQA dhe EQAR. Projektligji për AKA-në pritet që të rregullojë statusin e Agjencisë së Kosovës për Akreditim dhe është propozuar të jetë si agjenci rregullatore në proceset dhe përgjegjësitë e akreditimit, riakreditimit, validimit e monitorimit me qëllim të sigurimit të cilësisë në arsimin e lartë.

Dittrichi bashkë me drejtorin e EQAR-it, Colin Tuck, që nga e mërkura kanë qëndruar për një vizitë dyditore në Prishtinë për takime me përfaqësues të arsimit të lartë. Të mërkurën ata janë takuar me anëtarët e Komisionit Parlamentar për Arsim, si dhe me përfaqësues nga shoqëria civile.

Kosova ishte përjashtuar nga EQAR-i shkaku i shkarkimit të Bordit të Këshillit Shtetëror të Cilësisë me anë të ndërhyrjes më 2017 të kryeministrit Ramush Haradinaj. Me kërkesë të tij, ministri i atëhershëm i Arsimit, Shyqiri Bytyqi, kishte shkarkuar Bordin, si dhe ushtruesen e detyrës së drejtorit të Agjencisë. EQAR-i kishte vlerësuar se AKA-ja e kishte humbur mundësinë që të veprojë si e pavarur, pas ndërhyrjes. E më pas, AKA-së i ishte degraduar statusi edhe përbrenda ENQA-s, nga anëtarja me të drejta të plota në anëtare nën shqyrtim. Por më 2 tetor të 2019-s u përjashtua tërësisht edhe nga ENQA. Në mesin e arsyeve të numëruara për përjashtim përfshihej mungesa e konsensusit të gjerë në arsimin e lartë lidhur me rolin dhe aktivitetet e agjencisë, si dhe mungesa e resurseve njerëzore dhe financiare për të realizuar aktivitetet. ENQA kishte dhënë disa rekomandime për Agjencinë e Akreditimit, mes të cilave ka përfshirë metodologjinë e veprimit, përfshirjen e studentëve dhe pavarësinë e veprimit.