Arbëri

Haxhiu: Politikanët tërhoqën mjetet nga Trusti, pse t’u mohohet qytetarëve

Bekim Haxhiu

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka përsëritur thirrjen që Kuvendi t’ua mundësojë qytetarëve një tërheqje të re nga Trusti.

Të enjten, Kuvendi do të shqyrtojë projektligjin për ndryshimet në fondin pensional. Sipas propozimit të Haxhiut, qytetarëve do t’u mundësohet tërheqje deri në 30 për qind të Trustit për të kaluar krizën ekonomike. Megjithatë, propozimi s’ka marrë mbështetjen e pushtetit.

Në një konferencë për media të mërkurën, Haxhiu ka thënë se nga publikimi i deklarimit të pasurisë shumë politikanë kanë treguar se kanë tërhequr mjete nga Trusti herën e kaluar. Ka pyetur se përse kjo t’u mohohet tash qytetarëve.

“Nga deklarimi i pasurisë u pa që shumë politikanë kanë tërhequr mjete nga Trusti, pse kjo tu mohohet qytetarëve. Edhe vetë drejtori i Trustit i ka tërhequr mjetet, kur pushtetarët tërheqin mjete nga Trustit pse kjo t’u ndalohet qytetarëve. I ftoj deputetët që me vullnet të lirë të vonojnë ligjin për tërheqjen e mjeteve të Trustit dhe Qeveria të ndal presion ndaj deputetëve”, ka thënë ai.

Haxhiu e ka quajtur “fatkeqësi” që “në këtë kohë krize kemi një ministër të Financave, të paaftë, çfarë është Hekuran Murati”.

Ndërkaq Safete Hadërgjonaj ka kritikuar Qeverinë për “politika të pafavorshme ekonomike”.

“Kosova po zbrazet përditë, po ikin qytetarët, çmimet po rriten e nuk po ka lehtësira nga ana e Qeverisë, nuk po ka as heqje të TVSH-së për produktet bazë e as heqje të akcizës për derivate. Vetëm në këta muajt e fundit ka një numër enorm të mbylljes së bizneseve, si rezultat i politikave të pafavorshme ekonomike dhe mungesës së masave nga ana e Qeverisë. I vetmi vend në botë është Kosova, që nuk ka marr asnjë masë për të lehtësuar jetën e qytetarëve, si pasojë e rritjes së çmimeve. Në rrethanat e inflacionit të lartë është e domosdoshme që të lejohet tërheqja e mjeteve nga Trusti”, ka thënë ajo.