Arbëri

Alidemaj skeptik për kthim në normalitet: Kemi hyrë në trendin e rritjes së çmimeve

Njohësi i ekonomisë, Liridon Alidemaj, është skeptik se situata ekonomike në vend mund të normalizohet.

Në Interaktiv të KTV-së ai ka thënë se institucionet duhet të reagojnë shpejt ndaj rritjes së çmimeve. Urgjent sipas tij, duhet të intervenohet në çmimet e produkteve bazike.

“Pak jam skeptik se mund të vijë një normalizim i situatës, kemi hyrë në trendin e rritjes së çmimeve dhe do shohim sa mund të përballojmë. Reagimi i dorës së shtetit duhet të jetë sa më shpejtë pasi është prioritet i lartë që të paktën ta ndalojmë pak”, tha ai.

Alidemaj ka thënë se në Kosovë duhet të futet në fuqi plani emergjent për gjendjen ekonomike dhe të jepet zgjidhje sa më shpejtë.

“Ka rritje deri në 15% të produkteve të konsumit. Reagimi duhet të jetë më i shpejtë. Urgjent duhet të jetë një reagim direkt në politikën e taksave. Në raste emergjente duhet plani emergjent të aktivizohet sa më shpejtë. Në rastin e produkteve bazike duhet të intervenohet urgjentisht. Nëse nuk ndërmerret në politika fiskale që ka të bëjë me TVSH-në, të lirohen prej tatimeve, p.sh. gastronomia sikur gjatë pandemisë”.

Ai ka folur edhe për mospërfshirjen e veteranëve në Projektligjin për Pagën Minimale, për të cilën tha se është çështje problematike. Alidemaj ka thënë se futja e kësaj kategorie do t’i kushtonte buxhetit të shtetit aq shumë sa që nuk do të mund ta përballonte.

“Në baza mujore do t’i kushtonte buxhetit 3 milionë euro. Për një vit i bie që diku 36 milionë euro i kushton buxhetit të shtetit. Shtrohet pyetja si do t’ia dalë shteti me to”, tha ai.

Ai ka thënë se për jetën në Kosovë nuk është e mjaftueshme as paga 250 si pagë minimale për shkak të shtrenjtimit të jetës.

“Kërkesat kanë qenë të larta, 350-400 kanë dalë me versione të ndryshme, por mundësia dhe dëshira janë të ndryshme. Nuk mjafton edhe 250 euro si pagë minimale pasi çdo gjë është shtrenjtuar. Është shtrenjtuar jeta në Kosovë. Me bë një pagë minimale edhe më të lartë sërish do kishim probleme. Në këto situata urgjente duhet të vijë në shprehje dora e shtetit, pushteti të jetë më kreativ, për shembull të zvogëlojë TVSH-në për produktet bazë”, tha Alidemaj.

Sipas Alidemajt, sektorët që preken më shumë nga projektligji janë ai i ndërtimtarisë e ai gastronomisë, por edhe të tjerë.

“Sektorë që do preken shumë do të jenë ata që kanë qenë paga më të vogla minimale. Do të preken sektori i ndërtimtarisë, gastronomisë, tregtia me pakicë, etj. Ajo që është e rrezikshme është puna e ekonomisë joformale. Ekonomia joformale mund të shënojë rritje”.

Alidemaj ka folur edhe për fuqinë punëtore. Ai tha se ka krizë për punëtorë në Kosovë pasi shumë biznese hasin në probleme në gjetjen e kuadrove.

“Kosova sa i përket fuqisë punëtorë, nuk jemi në situatë të mirë, mund ta quaj një lloj krize që po hasin bizneset në gjetjen e kuadrove. Kanë ikur shumë të rinj nga Kosova, ka mungesë të profesioneve, si zanate, ndërtimtarisë, gastronomia, etj”, tha ai.

Ai shtoi se Qeveria duhet të krijojë politika stimuluese për të rinjtë që të qëndrojnë në Kosovë.

“Kur është në pyetje ikja e të rinjve, barra i bie shtetit sepse shteti duhet të ketë politika stimuluese pasi duhet të bëhet sigurimi më i lehtë i tregut të punës dhe të bëhet nivelizimi i pagave, të ndryshohen koeficientët”.

Theksoi se fokusi i Qeverisë duhet të jetë lehtësimi i të bërit biznes në Kosovë dhe thithja e investimeve të huaja.

Alidemaj tha se Qeveria për shumë premtime që pati dhënë, është vonuar. “Janë në vonesa në përgjithësi në shumë politika”.