Arbëri

Krasniqi për zhvendosjen e “Sunny Hill”: Qeveria me xhelozi të sëmurë e injorancë të thellë

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe liderin e saj, Albin Kurti, për mbyllje të derës së të vetmit festival të muzikës me përmasa botërore në vend, “Sunny Hill”.

Krasniqi ka thënë se me zhvendosjen e këtij festivali nga Prishtina në Tiranë, Qeveria aktuale ka treguar “xhelozi të sëmurë dhe injorancë të thellë”.

“Në secilin shtet tjetër të botës, një artiste kulmore si Dua Lipa, do të trajtohej si aset e pasuri. Por, fatkeqësisht, jo edhe në Kosovë. Është krejt e pabesueshme, por, Qeveria po e përzë nga Prishtina një ndër iniciativat më të mëdha dhe të suksesshme artistike, ‘Sunny Hill’ Festival. Ky veprim, më shumë se gjithçka, tregon për xhelozinë e sëmurë, injorancën e thellë, e kompetencën e munguar të komplet një Qeverie e cila secilën ditë po na sjell një skandal më të madh se tjetrin. Turp!”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.