Arbëri

Luftanija ruse pozicionohet përballë Shqipërisë [FOTO]

Vazhdojnë të rriten tensionet në det mes NATO-s dhe Rusisë. Anija më e fuqishme luftarake e Marinës ruse, e quajtur “Varyag” aktualisht ndodhet disa dhjetëra kilometra larg nga Salento, në Itali, në hapësirën detare midis Italisë dhe Korfuzit, jo shumë larg kufirit detar të Shqipërisë.

E njohur si binjakja e anijes “Moskva”, që u shkatërrua nga forcat ukrainase në Detin e Zi, “Varyag” po lundron në brigjet e Pulias.

“Varyag” po lëviz në detin Jon e shoqëruar nga një anije tjetër mbështetëse, e quajtur “Admiral Tributs”, e cila e mbron atë nga sulmet e mundshme ajrore ose me nëndetëse.

Faqja “The Shipyard” ngriti alarmin të hënën, duke sqaruar se “Varyag” është anije e një prej njësive më të fuqishme shkatërruese që Moska ka vendosur në Mesdhe, në një përpjekje për të rritur tensionin me NATO-n.

Rruga e “Varyag” nuk është ende e qartë, me disa analistë që mendojnë se mund të futet në Adriatik duke qëndruar gjithmonë në brezin detar ndërkombëtar. Për t’iu kundërpërgjigjur Moskës, në Mesdhe ka mbërritur ditën e hënë aeroplanmbajtësja gjigante e SHBA-së, “Truman”.

{gallery}