Arbëri

Ish-delegatët e Deklaratës Kushtetuese të pakënaqur me pozitën e Kosovës

Janë bërë 33 vjet qëkur përpara objektit të Kuvendit të Kosovës, të rrethuar nga forcat serbe, 114 delegatë ia dhanë miratimin Deklaratës Kushtetuese. E njohur si Deklarata e 2 korrikut, dokumenti e përcaktoi statusin e Kosovës si republikë. Por, mbi tri dekada që nga ajo ditë, tre nga delegatët e atëhershëm shprehin pakënaqësi për pozitën aktuale të vendit

Megjithëse i rrethuar nga forcat serbe, Muharrem Shabani ishte bërë personi që 33 vjet më parë e pati lexuar Deklaratën që do të bëhej pikënisje për shpalljen e Kosovës republikë.

Në 2 korrikun e 1990-s, ai bashkë me 113 delegatë të tjerë, në pamundësi për t’iu qasur objektit të Kuvendit të Kosovës, e patën miratuar Deklaratën Kushtetuese nga oborri i godinës.

E më se tri dekada që prej asaj dite, Shabani e kujton ngjarjen si një moment të vështirë, po aq edhe krenarie, teksa i përshkruan momentet që i paraprinë leximit të dokumentit.

“Kishte snajperista ku është ndërtesa e Qeverisë, ku janë ndërtesat aty rreth Kuvendit dhe kishin pru një karrige aty pari, po më thojnë me u ulë këta kolegët, që mos me të rrokë plumbi... Unë s`du me lexu, po du me lexu në këmbë”, ka thënë Shabani.

Asokohe nënkryetar i Kuvendit ishte Ilaz Ramajli. Ai thotë se miratimi i Deklaratës së 2 korrikut ishte përcaktues për rrugën drejt pavarësisë së plotë që e gëzon sot Kosova.

“…rëndësia e Deklaratës së Kushtetueses është e pamohueshme dhe i qëndron edhe kohës së sotme, d.m.th. edhe sot po t’iu bëheshin vlerësimet e saj për rrethanat e kohës, kur ajo është nxjerrë, mund të vlerësohet si një akt shumë i rëndësishëm”, ka thënë Ramajli.

E delegati i atëhershëm, Nazmi Kelmendi, tregon se për mbajtjen e mbledhjes së Kuvendit atëkohë ishte kërkuar një angazhim i madh.

“Dy korriku është ndër datat e kthesës historike të popullit tonë, që i kemi sublimu të gjitha kërkesat e të gjitha kategorive”, ka deklaruar Kelmendi.

Por, 33 vjet pas delegatët shprehin pakënaqësi për pozitën që Kosova e ka sot. Përderisa Ramajli shpreh brengën për marrëdhëniet me aleatët ndërkombëtarë, Kelmendi thotë se e shqetësojnë veprimet aktuale të politikanëve.

“Unë them se duhet të jemi më të kujdesshëm dhe të vazhdojmë të koordinojmë aktivitetet tona me miqtë tanë ndërkombëtarë, në rend të parë me SHBA-në, duke pasur parasysh se situata e sotme nuk më duket edhe larg për nga natyra e kompleksitetit që ka larg asaj që edhe në vitin 90 ka qenë”, ka shtuar Ramajli.

“Duhet të jenë më të përgjegjshëm dhe jo të shesin filozofi e mend, po të punojnë mirëfilltë për shtetin dhe për shtetësinë e Kosovës”, ka theksuar Kelmendi.

E për Shabanin, shqetësimin më të madh e përbën largimi i të rinjve nga Kosova.

“Unë nuk kam pritur kurrë që kësisoj Kosova ka me u boshatis prej të rinjve, prej studentëve, prej gjeneratës që është ma produktive e këtij vendi, prej atyre minatorëve, pjesa ma e madhe e ka bo prej zorit, prej gjendjes ekonomike”, ka deklaruar Shabani.

Miratimi i Deklaratës Kushtetuese ishte kundërpërgjigje e Kosovës ndaj suprimimit të autonomisë, që asokohe iu bë nga Serbia. Veprimi u pasua dy muaj më vonë me miratimin e Kushtetutës së parë të Kosovës, të njohur si Kushtetuta e Kaçanikut.