Arbëri

Caka: Një shqiptar nga Shkodra gjuajti mbi të burgosurit në Dubravë

I mbijetuari i masakrës në Dubravës, Afrim Caka, rrëfeu në DESK-un e KTV-së për ngjarjet e 22 dhe 23 majit të 1999-s, ku forcat serbe vranë të burgosur shqiptarë. Ai tha se në ditën e parë i regjistroi 171 të vrarë, por që në një regjistrim tjetër ishin 173.

“Ishim më terrene të hapura sportive, mbi 500 të burgosur të mbledhur aty. Disa të burgosur ishin futur në puseta uji, e disa nëpër gypa të ngrohjeve. Në mëngjesin e 22 majit, i dëgjuam disa traktorë duke udhëtuar mureve të burgut. Filluan bombardimet më makabre. I pari që gjuajti ishte Sfetlan Matanoviq, nga Shkodra i njohur si Dritan Spiropjetri”, deklaroi Caka.

Ai tha të enjten se nga granatimet, dhjetëra të burgosur u vranë, e qindra u plagosën, derisa të mbijetuarit nisën t’u dilnin në ndihmë të burgosurve.

“Kur i pashë të burgosurit që u ngritën, me kujtohej feniksi që ngrihet nga hiri. Disa ishin pa duar, pa këmbë. Ata i kishin sytë kah ne. Filluam t’i bartnim, na ra këmba e njërit në tokë. Pasi i kemi bartur 12 vet, filluan të vinin të tjerët (për t’iu ndihmuar të plagosurve v.j.). Numër i madh i të vrarëve, qindra të plagosur. 171 i kam numëruar unë , një tjetër 173”, tha Caka.

I mbijetuari i masakrës theksoi se të burgosur kanë qenë 980 shqiptarë e 21 serbo-malazez.

“Ata (serbo-malazezët v.j.), i liruan e i armatosën për t’iu bashkangjitur turmës. Bënin gara se kush bënte më shumë krime. Të gjitha fushat ishin të mbushur me të vrarë. Në puseta futnin bomba dore dhe i vritnin. Ishin futur në ndërtesa të gypave të ngrohjes, Edhe ata i vritnin. Erdhi masakra e dytë, ku u vranë mbi 20 veta”, theksoi tutje ai.