Arbëri

Keqpërdorimet me Fondin nisin në QKUK, rastet e rregullta me të njohshëm bëhen “urgjenca”

Hulumtimi i KOHËS ka zbuluar që keqpërdorime me paratë e Programit për Trajtim Jashtë Vendit nisin në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës. Mjekët shpesh i referojnë pacientët jashtë vendit, si raste të rregullta e për patologji që trajtohen në Kosovë. Kur bordi i ka refuzuar këto trajtime, ata kanë arritur që sërish të marrin fletë-referime për patologji që kinse nuk trajtohen në Kosovë, porse tash i kthejnë në urgjenca. Ka edhe raste kur mjekët kanë vullnet t’i kryejnë disa shërbime në QKUK dhe kërkojnë nga Ministria e Shëndetësisë që t’i furnizojë me barna, të cilën gjë ministria nuk e bën, por ua mundëson spitaleve private përfitimin për këta pacientë

Mungesa e një bari shpesh është përdorur si arsye që Qendra Klinike Universitare e Kosovës të referojë pacientë për dërgim në trajtim jashtë spitaleve publike.

KOHA gjatë hulumtimit disamujor mbi mënyrën e shpenzimit të parave të Programit për Trajtim Jashtë Institucioneve Publike ka parë dëshmi të rasteve të referimeve të këtilla nga QKUK-ja.

“Arsyeja e referimit jashtë SHSKUK-së: Për shkak të mungesës së barnave esenciale (adekuate për trajtimin e kësaj patologjie, si dhe monitorimin invaziv intra dhe post operativ)”, thuhet në një fletë-referim të vitit 2019. E të këtilla fletë-referime lëshohen edhe tani.

Vetëm brenda një muaji ka pasur disa referime të tilla dhe Fondi i Sigurimit Shëndetësor ka paguar për to me dhjetëra mijëra euro. Barnat që për këto raste nuk i posedon QKUK-ja nuk janë pjesë e Listës Esenciale, ndërkaq Klinika e Urologjisë, e cila i ka bërë referimet, i është drejtuar edhe me shkrim Ministrisë së Shëndetësisë duke shkruar se një lloj ndërhyrje nuk bëhet vetëm për shkak të mungesës së barnave, porse ajo ende nuk ka bërë përpjekje që t’i sigurojë. E kjo konfirmohet nëpërmjet një emaili që drejtori i Klinikës së Urologjisë ia ka përcjellë Fondit të Sigurimit Shëndetësor.

“Mungesa e anestetikëve specifikë”, thuhet në arsyetimin e kësaj klinike, teksa jepet shkaku përse një patologji e tillë referohet jashtë.

Referimet të cilat ua mundësojnë pacientëve që të kërkojnë shërbime jashtë QKUK-së dyshohet se lëshohen pa ua plotësuar kriteret. Në disa raste, si arsyetim përmendet vetëm se trajtimi i nevojshëm nuk kryhet në QKUK, por pa ofruar asnjë arsyetim tjetër. Mirëpo, ka edhe raste kur qytetarët e Kosovës duhet që të gjejnë të njohur për ta siguruar një dokument të tillë.

Halil Gjekaj, të cilit bashkëshortja i ishte diagnostikuar me kancer, duhej që ta siguronte fletën e referimit për trajtim jashtë vendit, porse problemi i ishte shfaqur në nënshkrime.

“Ne kërkuam ndihmë në Ministri. Dëgjuam që i mbulojnë disa shpenzime, por fatkeqësisht nuk na u përgjigjeshin. Jo këtë sëmundje e trajtojmë këtu pse po shkon atje.... Vonë dikur, me disa shokë, gjetëm një lidhje që po u dashkan tri nënshkrime prej grupit të mjekëve, kinse nuk bahet ai operim këtu e me të jep vizën diku. Mendova që ne krejt qytetarët jemi të njëjtë, i gëzojmë të drejtat e njëjta, por këtu te ne kjo nuk përfillet për fat të keq”, ka thënë Gjekaj.

Një pjesë të shërbimeve të nevojshme, bashkëshortja e tij, Pakizja, i kishte marrë në një spital në Turqi dhe ia kishte mbuluar Fondi. Pjesën tjetër e kishte mbuluar vetë familja. Pakizja nuk ka arritur që t’i përballojë sëmundjes. E bashkëshorti i saj ka dyshime lidhur me çmimet e ofruara.

“Po nuk fole, nuk reagove diçka, veç u dashke me pagu, pa ditë se çka ka marrë pacienti, a është trajtu, a çka”, ka deklaruar ai.

Dyshime se zinxhiri i keqpërdorimeve në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore fillon që në QKUK kanë pasur edhe anëtarët e atëhershëm të bordit të Programit për Trajtim Jashtë Institucioneve Publike, në fundin e vitit 2020. Ata kanë ngritur dyshime se pacientëve që ishin raste të rregullta dhe sëmundjet e tyre trajtoheshin në Kosovë, pasi që u refuzohet aplikimi, kthehen sërish në QKUK. Më pastaj, QKUK-ja i referon si urgjenca dhe si patologji që kinse nuk trajtohen në Kosovë. Dokumentin për këtë ata e kishin përcjellë në ministri, porse masa nuk janë ndërmarrë. Dokumentin jopublik e posedon KOHA.

“Bordi i tanishëm refuzon aplikacionet e rastit të rregullt, diagnozat e të cilit nuk gjenden në Shtojcën 1 të UA 03-2017. Disa aplikues pastaj shkojnë marrin Mendim Konziliar tjetër në SHSKUK dhe ridefinohen si raste urgjente, pas të cilit drejtori i FSSH-së i lëshon fletëzotim financiar, e pastaj sërish, për herë të dytë, vijnë te ne për aprovim të shumës financiare, por tani vijnë si rast urgjent”, thuhet në dokument.

Fondi, në bazë të këtij dokumenti, ishte paralajmëruar për rrezikun që mund t’i kanosej.

“Kjo do të na sjellë në situatën kur Bordi të njëjtin rast do ta trajtojë dy herë. Herën e parë, duke e refuzuar aplikimin si rast i rregullt dhe herën e dytë duke shqyrtuar aplikimin si rast urgjent me fletë-zotim të drejtorit të FSSH-së”, thuhet në raportin e siguruar nga KOHA.

Kjo instancë e kishte parasysh që ishte hyrë në një rrugë nga e cila nuk kishte shumë dalje.

“Duhet të koordinohen të gjitha organet në kuadër të këtij programi (Ministri i Shëndetësisë, Bordi Ekzekutiv i TMIJSHP, Komisioni Mjekësor i TMIJSHP, SHSKUK, Drejtori i Fondit), për gjendjen e krijuar, për të cilën duhet gjetur zgjidhje adekuate ligjore, të obligueshme për të gjithë”, thuhet në raport.

Fondit të Sigurimeve Shëndetësore i është bërë disa herë auditimi.

Me gjithë faktin që KOHA ka gjetur shkelje flagrante në secilën hallkë që e mundëson trajtimin e pacientëve jashtë spitaleve publike, në auditimet e bëra Zyra Kombëtare e Auditorit ka gjetur “shkelje të lehta” në këtë institucion.

“Në 50 raste jo urgjente nuk janë ofruar dëshmi të trajtimeve e që kjo është në kundërshtim me kërkesat e vendimit që i është lëshuar palës, ku theksohet se pala obligohet që pas trajtimit të sjellë faturat e shpenzimeve të mjekimit nga institucioni përkatës. Sipas zyrtarëve të Fondit, palët nuk kanë dërguar faturat e shpenzimeve pas trajtimit”, thuhet në raport. “Shkelje procedurale” gjatë auditimit ishin identifikuar edhe te rastet urgjente.

“Në 25 raste, si raste urgjente nuk janë ofruar dëshmi (faturë apo fletëlëshim) për pagesat e realizuara për trajtimet për rastet urgjente. Sipas menaxhmentit, këto mangësi vijnë nga pamundësia për të siguruar këto dokumente nga institucionet shëndetësore jashtë vendit dhe mangësitë e UA”, bëhet e ditur në raport.

Megjithëkëtë, ky institucion kishte rekomanduar diçka për Ministrinë e Shëndetësisë.

“Ministri duhet të krijojë mekanizma efektivë për të siguruar se palët përfituese janë duke i respektuar obligimet për arsyeshmërinë e plotë të shpenzimeve të subvencionuara nga ministria”, është rekomandimi që nuk është zbatuar asnjëherë.

KOHA gjatë hulumtimit ka identifikuar pagesa të dyshimta për shërbime identike e për të cilat vlerat kanë rezultuar me diferenca shumë të mëdha.

(Në vazhdimin e hulumtimit mund të lexoni: Cila është klinika e QKUK-së që është kampione e referimeve për trajtim jashtë institucioneve publike? A abuzojnë mjekët e kësaj klinike me referime? Cili është arsyetimi i tyre? Sa para janë shpenzuar për këto raste, në mungesë të servisimit të një aparature që mund të rregullohej me pak para?)

Për t’i lexuar hulumtimet tjera për keqpërdorimet e Fondit, kliko KËTU