Ish-ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, njëherësh edhe deputet në Kuvendin e Kosovës, është shprehur pro iniciativës rajonale “Ballkani i Hapur”.
Pacolli ka thënë se Kosova nuk duhet të izolohet, duke mos pranuar të jetë pjesë e kësaj nisme, pasi sipas tij, në këtë iniciativë marrin pjesë tre kryeministra shqiptarë, me të cilët mund të merren vendime në favor të Kosovës.
“Dua ta shoh edhe Kosovën në një klub me Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, të mbështetur fuqishëm nga SHBA. Është koha e duhur (kemi 3 Kryeministra shqiptar), aty mund të mirën vendime vetëm në favor të Kosovës, mos u frikësoni! Anglia ishte themeluese e Unionit Evropian dhe atëherë kur ajo e vlerësoi doli nga ky union. Edhe Kosova mund ta bëjë këtë nëse vëren që aty kërkohet te bëhet diçka që shkon në dëm të Kosovës”, ka thënë ai.
Pacolli ka shtuar se Kosova nuk duhet të hezitojë dhe paragjykojë në rrugët e integrimit euroatlantik të mbështetura nga SHBA-ja.
“Izolimi i duhet më së paku Kosovës (edhe Bledi e Berlini i fundit nuk shkuan në favor te Kosovës). Nuk ka nevojë të frikësohemi nga vendi ku flitet për sfidat”, ka shkruar ai.
Shqipëria, Serbia e Maqedonia janë nismëtarë të “Ballkanit të Hapur”. Në samitin që u mbajt në Ohër e që përfundoi të mërkurën, si vëzhguese morën pjesë edhe Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina.
Kosova është e vetmja që po e refuzon këtë iniciativë rajonale.