Furnizimi, deponimi, shpërndarja e shpenzimi i barnave dhe materiali sanitar ishin objektivat e Auditorit në periudhën janar 2021 deri më 31 mars 2022. Auditimi është përqendruar në procedurat e pranimit, regjistrimit e shpërndarjes së barnave, si dhe materialit mjekësor në Barnatoren Qendrore të QKUK-së, barnatoret klinike dhe klinikat e QKUK-së
Ani se furnizimi është bërë në bazë të planifikimit vjetor të Klinikës së Radiologjisë, mbi 175 mijë euro është kostoja e materialit të pranuar në vitin 2019, të cilit vitin e kaluar i skadoi afati pa u përdorur fare.
Kjo është njëra prej gjetjeve e Njësisë së Auditimit të Brendshëm në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK). Pos kësaj, në Radiologji është identifikuar edhe material tjetër mjekësor me afat të skaduar, të cilit nuk është arritur t’i konstatohej vlera. Në këtë klinikë, si shkruhet në raport, nuk ka as farmacist përgjegjës, derisa kërkesat për furnizim me material mjekësor në Barnatoren Qendrore bëhen nga kryeinfermierja e Klinikës.
Materiale të tilla me afat të skaduar janë evidentuar edhe në Klinikën e Neurologjisë, që ndër tjerash ka mungesë edhe të kartelave për regjistrim të materialit e kësisoj edhe mungesë të regjistrimit vjetor.
“Në testimin fizik që kemi bërë në Kabinetin e Angjio-Sallës në Klinikën e Neurologjisë kemi gjetur një sasi të materialit mjekësor të pashpenzuar që nga viti 2019, këta artikuj janë pranuar dhe nuk janë përdorur deri më sot. Siç shihet nga kjo tabelë, vlera e materialit i cili gjendet në Kabinetin e Angjio- Sallës në Klinikën e Neurologjisë, i cili nuk është përdorur fare ka vlerë 84.013,00 e kjo vlerë mund të jetë edhe më e lartë, kur kemi parasysh se për disa artikuj nuk i kemi pasur vlerat”, thuhet në raportin e Njësisë së Auditimit të Brendshëm në SHSKUK.
Furnizimi, deponimi, shpërndarja e shpenzimi i barnave dhe materiali sanitar ishin objektivat e Auditorit në periudhën janar 2021 deri më 31 mars 2022. Auditimi është përqendruar në procedurat e pranimit, regjistrimit e shpërndarjes së barnave, si dhe materialit mjekësor në Barnatoren Qendrore të QKUK-së, barnatoret klinike dhe klinikat e QKUK-së.
E në këtë periudhë, sipas gjetjeve të Auditorit, në tetë klinika të QKUK-së, për shkak të mungesës së barnave nga Lista Esenciale, shumë prej tyre janë siguruar nga vetë pacientët. Shkelje u gjetën edhe në këtë mes.
“Gjatë procesit të auditimit kemi shikuar procesin e furnizimit me barna nga vetë pacientët sipas udhëzimit të stafit mjekësor dhe kemi gjetur se receta për barna me të cilën udhëzohen pacientët për t’i blerë barnat që mungojnë nuk plotësohen me emër dhe mbiemër të pacientit, numrin e amzës, datën, nënshkrim dhe faksimile të mjekut kujdestar në Klinikën e Neurokirurgjisë, Gjinekologjisë, ndërsa në Klinikën e Onkologjisë nuk janë përdorur fare këto receta”, shkruhet tutje në raportin e auditimit.
Sipas raportit të Auditorit të Brendshëm, janë gjetur edhe gabime në regjistrimin e barnave në kartelat e barnatoreve doracake. Në bazë të intervistave të zhvilluara me kryeinfermieret e klinikave, këto gabime thuhet të kenë ndodhur për shkak të ngarkesës së tepërt me punë, mungesës së infermierëve, si dhe mungesës së kohës për regjistrim të barnave në kartelë.
Krahas mangësive, Auditori ka listuar të përmbledhura edhe disa rekomandime për menaxhmentin dhe Klinikat e QKUK-së, duke kërkuar veprim të menjëhershëm në përmirësim të gjendjes.
“Vendimi i Bordit Drejtues të SHSKUK-së për funksionalizimin e Shërbimit Farmaceutik të bëhet me miratimin e ministrit të Shëndetësisë siç parashihet me nenin 11, pika 1, të Statutit të QKUK-së. Të regjistrohet çdo hyrje dhe dalje e barnave në kartelë fizike të barnave në klinika dhe reparte dhe të mbahet evidencë për shpenzimin e barnave të pacientëve. Receta për barna me të cilën udhëzohen pacientët për t’i blerë barnat që mungojnë të plotësohet me emër dhe mbiemër të pacientit, numri i amzës, data, nënshkrimi dhe faksimilja e mjekut kujdestar”, janë këto rekomandimet e Auditorit të Brendshëm.
“Të bëhet regjistrimi i gjendjes së materialit mjekësor në Kabinetin e Angjilo-Sallës në Klinikën e Neurologjisë në fund të çdo viti dhe të mbahet evidencë në kartela për çdo hyrje-dalje të materialit mjekësor. Materiali që gjendet në Kabinetin e Angjio-Sallës në Klinikën e Neurologjisë, i cili nuk është përdorur deri më tani të shpërndahet në klinika që mund të shfrytëzohet ky material, ashtu që të zvogëlohet rreziku i skadimit të afatit të përdorimit të materialit në stok”, shkruhet në vazhdim të rekomandimeve.
Sipas konkluzioneve të këtij auditori, kontrollet për menaxhimin e proceseve nuk janë në nivelin e duhur të funksionimit. Çështjet si mungesa e barnave nga Lista Esenciale, receta për barna të siguruara nga vetë pacientët të paplotësuara dhe të panënshkruara nga stafi mjekësor, gabimet gjatë regjistrimit të barnave në kartelat e barnatoreve doracake, materiali i pashpenzuar nga viti 2019 dhe materiali me afat të skaduar në Klinikën e Radiologjisë janë çështje të cilat, sipas raportit, paraqesin shqetësim për menaxhmentin dhe kërkohet veprim i menjëhershëm.
Tetë klinikat që janë testuar janë: Klinika e Kirurgjisë së Fëmijëve, Kirurgjisë Abdominale, Klinika e Neurokirurgjisë, Neurologjisë, Klinika e Psikiatrisë, Onkologjisë, ajo e Gjinekologjisë dhe Klinika e Radiologjisë.
Jo të rralla kanë qenë rastet kur është raportuar për “zhdukje” të pajisjeve në QKUK. Një pajisje e Klinikës së Radiologjisë “ishte zhdukur” para dy muajsh në Klinikën e Neonatologjisë. Pajisja që shërbente për digjitalizimin e rëntgenit analog që bën të mundur leximin e radiografisë në CD përdorej në klinikën ku trajtohen foshnjat e porsalindura dhe kishte kosto mijëra eurosh. Për vendndodhjen e saj kanë thënë të mos dinë as nga QKUK. E në korrik të vitit të kaluar “ishte zhdukur” edhe një USB, e cila po ashtu ishte pjesë integrale e një rëntgeni në Klinikën e Radiologjisë me kosto prej rreth 6 mijë eurosh, për të cilën ishte raportuar edhe në Polici.