Arbëri

Para Komisionit Hetimor për Energjinë do të dalë edhe ambasadori Berishaj

Gjatë një mbledhjeje të Komisionit Hetimor për Energjinë, kryesuesi Driton Selmanaj ka bërë të ditur se në mesin e të ftuarve do të jetë edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj. E, deputetë të subjektit kryesor në pushtet kanë propozuar që listës së të intervistuarve t’i shtohen edhe kryetarët e partive politike. Deri të hënën, ligjvënësit do të mund t’i deponojnë emrat e njerëzve që duhet të dalin para komisionit

Kryetarë të partive politike, ambasadorë, Avokati i Popullit, përfaqësues të dikastereve qeveritare dhe institucioneve të pavarura do të ftohen për t’u intervistuar nga Komisioni Hetimor për menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria, ka bërë të ditur të premten kryesuesi i tij, Driton Selmanaj.

Gjatë një mbledhjeje që e ka mbajtur ky trup hetimor i formuar nga Kuvendi është përmendur lista e gjatë e personave që duhet të japin dëshmi. Ndërkaq ka pasur propozime edhe nga anëtarë të Komisionit e të cilët deri të hënën do ta kenë mundësinë që të dërgojnë me shkrim të gjitha propozimet për personat që duhet të ftohen për intervistë në Komision.

Por në një mbledhje është bërë e ditur se për intervistë do të ftohet edhe ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.

Berishaj, mbështetur në një raportim të një mediumi në Slloveni muajin e shkuar, është i përfshirë në një skandal financiar. Bazuar në raportime, disa transaksione në vlerë prej 600 mijë eurosh ishin dërguar te kompania e tij “MB Consulting” nga një degë serbe e furnizuesit energjetik slloven, GEN-I.

Pas këtij raportimi, Berishaj qe përfshirë në listën e akuzave të opozitës, që lidheshin me keqmenaxhim të krizës me energjinë nga Qeveria. E në këtë kohë krize, mes tjerash, Qeveria pati ndarë miliona euro për blerje të energjisë.

“Lista e dëshmitarëve për intervistim i kam cekur vetëm institucionet, jo emrat e përveçëm. Fillimisht është Qeveria, në kuadër të saj janë Ministria e Ekonomisë, Ministria e Financave, ZRrE-ja, KOSTT, KEK, KEDS dhe KESCO. Pastaj janë Ndërmarrja Kosova Thëngjill, ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, dhe Agjencia Antikorrupsion”, ka thënë deputeti Driton Selamanaj.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet, Artan Abrashi, ka propozuar që listës së dëshmitarëve t’i shtohen edhe liderët e subjekteve politike në Kosovë, meqë, sipas tij, të njëjtët gjatë krizës kishin dhënë deklarata e pretendime, njohuritë e të cilëve, sipas tij, do të mund t’i shërbenin kësaj trupe parlamentare.

“Në kuadër të listës së personave që duhet të intervistohen duhet të jenë edhe kryetarët e partive politike, pasi në kohën kur është miratuar gjendja emergjente për menaxhim të krizës kanë bërë pretendime, të cilat kapin elemente që mund të jenë interes i këtij komisioni për t’i hetuar”, ka thënë Abrashi.

Maksimumi i kohës sa mund të veprojë ky mekanizëm hetimor parlamentar do të jetë gjashtë muaj. Tek e kanë përmendur këtë, deputetët kërkuan dinamizim të punës së Komisionit dhe theksuan se muajt në vijim mund të jenë problematikë, meqë është kohë e pushimeve verore.

“Frikën e kam te çështja e sezonit veror, pasi do të na mungojnë aktorë të cilët janë jashtë vendit dhe në pushime”, ka thënë deputeti i Partisë Demokratike, Ferat Shala.

Gjatë këtyre diskutimeve, mbledhja ka qenë e hapur, ndërkaq pa praninë e mediave, deputetët kanë miratuar buxhetin e Komisionit.

Komisioni Hetimor për menaxhimin e krizës energjetike nga Qeveria është formuar me iniciativë të opozitës.

E, pas kësaj, me iniciativë të partisë në pushtet, është formuar edhe një komision tjetër për të hetuar investimet dhe çështjet që lidhen me energjinë, që nga viti 2006. Ky Komision, ndryshe nga ai për krizën e fundit energjetike, e ka mbajtur të hapur mbledhjen gjatë vendosjes së buxhetit. Dy ditë më parë, anëtarët e tij patën vendosur që nga 160 euro shtesë në muaj t’i marrë secili anëtar i Komisionit, nga 250 euro kryesuesi, ndërsa 182 euro zëvendëskryesuesi. Ndërkaq për angazhimin e 3 ekspertëve janë paraparë gjithsej 1.000 euro në muaj, për çka deputetët shprehën brengën se nuk do të gjejnë njerëz të interesuar për të kontribuar në hetim, për një pagë prej 333 eurosh në muaj.