Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka dorëzuar nismën për shkarkimin e Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, ka bërë të ditur shefi i deputetëve të LDK-së, Arben Gashi.
“Vendimet e bordit të ZRRE-së kanë qenë jo transparente, diskriminuese ndaj konsumatorëve si dhe kundër interesit publik. Paaftësia në menaxhimin e krizës së energjisë dhe papërgjegjësia e bordit të ZRRE-së ka dëmtuar rënd mirëqenien e qytetarëve duke e thelluar krizën e papërballueshmërisë, andaj shkarkimi i këtij bordi është më e pakta”, ka shkruar ai në Facebook të premten.
Kërkesa e opozitarëve për shkarkimin e Bordit të ZRRE-së vjen pasi Gjykata e Apelit pezulloi vendimin për vendosjen e bllok-tarifave në energji, në muajin shkurt.
ZRRE-ja pati vendosur për shtrenjtim të energjisë për këdo që shpenzon mbi 800 kilovatë në muaj. Qeveria pati ndarë mbi 100 milionë euro për atë kohë, për shkak të krizës që kaploi botën me shtrenjtimin e rrymës.