Arbëri

Çerkini: Qeveria po e shkel Ligjin e Punës, specializantët mund ta padisin

Urim Çerkini, specializant në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), ka thënë se askush nga ministria e Shëndetësisë apo qeveria nuk po përgjigjet në kërkesat e tyre, pavarësisht protestave të vazhdueshme.

Çerkini ka thënë në “Interaktiv” të KTV-së të enjten, se kanë marrë sugjerime se nëse vazhdohet kështu, specializantët mund ta padisin qeverinë për shkelje të Ligjit të Punës.

“Kemi një shkelje të Ligjit të Punës për pagesën e kujdestarive të fundjavave, e një vendim absurd që është marrë nga Ministria e Shëndetësisë, me të cilin vendoset që pagesat e fundjavave dhe festave të jenë të barabarta me pagesat e ditëve të punës. Dhe këtë na e ka konfirmuar edhe juristja e Odës së Mjekëve, e cila na ka sugjeruar që në hapat e mëtutjeshëm, kemi të drejtë ligjore dhe kushtetuese ta padisim qeverinë për shkelje të Ligjit të Punës. Nuk kemi asnjë lëvizje nga ana e Qeverisë në drejtim të realizimit të kërkesave tona”, ka thënë Çerkini.

Ai ka thënë se në takimin e fundit që ka pasur këshilli i specializantëve, është marrë vendimi që të pritet deri nga mesi i qershorit për hapat e mëtutjeshëm karshi qeverisë.


Çerkini: Mjetet që ndahen për shërim jashtë vendit, të investohen në aftësimin e mjekëve

Specializanti në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Urim Çerkini, ka thënë se mjetet të cilat ndahen për fondin e veçantë i dedikuar për të mbështetur shërimin jashtë vendit, do të duhej të investoheshin në mjekët në Kosovë.

Shuma prej 8 deri në 12 milionë euro që ndahet për këtë fond, sipas Çerkinit, po të ndahej për aftësimin e mjekëve që operacionet dhe intervenimet kirurgjike të kryhen në Kosovë, do të krijohej një kuadër i fortë dhe do të kurseheshin më shumë mjete.

I ftuar në Interaktiv të KTV-së të enjten, Çerkini ka shtuar se paralelisht duhet të rritet edhe pagat e mjekëve të cilët i kryejnë këto intervenime.

“Në Ministrinë e Shëndetësisë ekziston një fond i veçantë që i dedikohet shërimit jashtë vendit. Pse ato mjete nuk jemi në gjendje t’i investojmë në mjekët në Kosovë në mënyrë që ata të bëhen të aftë për t’i kryer ato operacione këtu në Kosovë. Me këtë do të krijonim një kuadër solid vendor, do të kursenim shumë mjete për shërim jashtë vendit, por në të njëjtën kohë kjo duhet të shoqërohet me rritje të pagës së një mjeku, jo një kirurg të paguhet 600 euro”, ka thënë ai.

Sipas Çerkinit, nëse nuk ka financim të qëndrueshëm dhe pagë dinjitoze për mjekët, edhe pritshmëritë për shërbime të mira nga ta nuk duhet të jenë të larta pasi do të vazhdohet puna në institucionet publike dhe private në të njëjtën kohë.