Osman Buleshkaj, konsulent i GIZ-it, ka prezantuar Sistemin e Arsimit Parauniversitar në Kosovë, para Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport.
Buleshkaj ka thënë se duke mos pasur legjislacion të plotë për edukimin e hershëm, Kosova vazhdon të mbetet vendi me pjesëmarrjen më të ulët të përfshirjes së fëmijëve në edukimin e hershëm.
“Mosha 0-5 është e përfshirë deri 6.7%, ndërsa në nivelin parafillor 5-6 është 88%. Numri i çerdheve private të palicencuara llogaritet të jetë 250, të licencuara 177. Në arsimin parauniversitar, aktualisht rreth 60 për qind e shkollave kanë nën 250 nxënës. Mbi 200 shkolla (paralele të ndara) funksionojnë me nën 50 nxënës apo rreth 4 nxënës për klasë. Kemi trendin e rënies edhe të studentëve”, ka thënë ai.
Deputetja Eliza Hoxha ka thënë se brengë kryesore është ajo që parametrat demografik nuk janë marrë parasysh.
Sipas saj, ndryshimet demografike për shkak lëvizshmërisë nga zona rurale në urbane duhen të merren për bazë.
“Thuhet që bota do të përballet me këtë problem, në të ardhmen 80 për qind e banimit do të fokusohet në zona urbane. Nuk pajtohem që nuk kemi nevojë për shkolla. Ne kemi nevojë për shkolla më shumë në zona urbane, ndërsa rregullim të shkollave në zona rurale. Shkollat në Fushë-Kosovë kanë nevojë për hapësira”, ka thënë ajo.
Deputetja Albena Reshitaj, ka thënë se finalizimi i ligjit për edukimin e hershëm është i nevojshëm e sidomos përfshirja e programit zhvillimi psikologjik te fëmijët.