Arbëri

“Formula” e inspektorëve për mosndalimin e ndërtimeve pa leje në Batllavë

Descriptive Text

Institucionet e Kosovës vazhdojnë të heshtin krahas degradimit që po iu bëhet brigjeve të Liqenit të Batllavës. Edhe pse kjo zonë është e mbrojtur me ligj dhe akte përcjellëse, ato nuk po gjejnë zbatim në praktikë. Pyjet përgjatë brigjeve të liqenit po priten, dëmtohen e shkatërrohen, duke iu dhënë hapësirë ndërtimeve të egra. Vilat luksoze të ngritura pa leje, hapja e rrugëve, ndërtimi i restoranteve e shtëpive me material të fortë janë shndërruar në biznese për pronarë të shumtë jo vetëm të kësaj ane. Për katrahurën e krijuar, institucionet ia hedhin “topin” njëra-tjetrës

Pyjet rreth brigjeve të Liqenit të Batllavës kanë humbur dendësinë që kishin dikur. Drunjtë e moçëm janë prerë, duke u dhënë hapësirë ndërtimeve.

Themelet e shtëpive e vilave luksoze janë betonizuar, duke i ngulitur këto ndërtime në pjerrtësinë buzë Liqenit. Edhe pse pa leje dhe në kundërshtim me legjislacionin në fuqi, mali është mbushur me dhjetëra objekte, disa prej të cilave janë në ndërtim e sipër, e të tjera të ngritura në dy-tre kate.

Inspektorati Qendror për Pylltari dhe Gjueti, i cili vepron në kuadër të Agjencisë së Pyjeve të Kosovës, ka gjetur një formulë që mundësonte ndërtimet ilegale pa u penguar nga askush. Ky institucion kishte konstatuar situatën, por nuk kishte ndërmarrë masa. Krejt çfarë kishte bërë, është raportimi i rastit në Ministrinë e Mjedisit. Dhe masat kishin munguar edhe pasi Ministria e kishte bërë të qartë se nuk ka kompetencë mbi pronat me pyje shtetërore të Agjencisë.

Ndërtuesit privatë e kanë shfrytëzuar këtë situatë, por edhe kohën e pandemisë dhe vakumin institucional gjatë periudhës së zgjedhjeve lokale për t’iu dhënë hov ndërtimeve në këtë pjesë. Vilat e ngritura janë shndërruar në biznese hoteliere, që janë duke u shfrytëzuar nga shumë turistë.

Shtimin e numrit të shtëpive e vilave e tregojnë incizimet e bëra në qershor të vitit të kaluar krahasuar me ato të këtij viti.

Katrahura e krijuar pa plan e pa kritere u bë në sy të institucioneve.

Agjencia e Pyjeve të Kosovës (AKP), sipas Ligjit për pyjet e Kosovës nr.03/2003, është përgjegjëse për menaxhimin e pyjeve dhe tokave pyjore shtetërore dhe për rregullimin e pyjeve dhe tokave private, duke përfshirë edhe ato të Batllavës.

Ajo shqyrton kërkesa të pronarëve privatë, të cilët përmes Komunës paraqesin kërkesat e tyre për prerjen e pyjeve, kurse për ndërrimin e destinimit të përkohshëm dhe shfrytëzimin e pronave të tyre ata duhet të marrin dëshmi nga Komuna e pastaj të aplikojnë në APK.

Më pas APK-ja i shqyrton kërkesat dhe nxjerr vendim për aprovim apo refuzim, nëpërmjet komisionit dhe organeve të saj.

Por, përkundër kësaj, Inspektorati Qendror për Pylltari dhe Gjueti, i cili është në kuadër të APK-së, ka qenë në dijeni se ndërtuesit nuk kanë pëlqim nga APK-ja dhe leje ndërtimi nga Komuna, por nuk ka marrë masa për ndalimin e ndërtimeve në tokën pyjore, duke tentuar t’ia bartë përgjegjësinë e vetë Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Edhe pse në maj të vitit të kaluar drejtori i Drejtorisë Qendrore të Inspektoratit për Pyje dhe Gjueti (DQIPGJ), Besim Zogu, ishte njoftuar për gjendjen me ndërtime në atë pjesë, pas inspektimeve rastin rreth ndërtimeve te Liqeni e ka bartur te MMPHI-ja.

Por, një raport i Auditorit të Brendshëm që e ka siguruar KOHA thotë se nëpërmjet urdhëresës së drejtorit Zogu dhënë inspektorëve që lënda të bartet në Ministri, ka dyshime se është tentuar që të iket nga përgjegjësia për marrjen e masave adekuate ligjore për ndalimin e aktiviteteve të paligjshme për këtë rast. Sipas raportit, me këtë është penguar inspektori në ushtrimin e detyrave të tij ligjore.

Udhëzimi Administrativ për autorizimet dhe kompetencat e Inspektoratit Pyjor dhe procedurat e nxjerrjes së vendimeve, në pikat 5, 9, 13,14 dhe 19 të nenit të tretë përcakton detyrat, autorizimet dhe masat e Inspektoratit.

“Paraprakisht ndalohen prerja dhe të gjitha punët e tjera që nuk janë në përputhshmëri me ligjin dhe aktet e tjera nënligjore nga lëmi i pylltarisë deri në vendimin përfundimtar të organit kompetent”, thuhet në pikën 5 të këtij neni. “Në rastet urgjente të cilat shkaktojnë dëme me interes të përgjithshëm, në vend të ngjarjes dhe me vendim urdhëron ndërprerjen e punës dhe aplikimin e masave për pengimin e dëmit”, vijohet në pikën 9.

Edhe pika 13 parasheh që inspektori “kontrollon dhe inspekton aplikimin e masave në mbrojtjen e pyjeve dhe tokave pyjeve nga uzurpimet dhe shfrytëzimet e kundërligjshme dhe të ndërtimit të objekteve pa leje dhe dokumentacion të nevojshëm”.

Sipas Raportit të Auditorit, mosveprimet nga DQIPGJ-ja mund të konsiderohen si shkelje dhe lejim të dëmtimit dhe degradimit të tokës pyjore, qoftë të atyre publike apo private në këtë zonë.

Në pikën 14 thuhet se inspektorët e monitorojnë dhe inspektojnë ndërrimin e destinimit, kurse pika 19 parasheh marrjen e masave ligjore, duke ushtruar fletëparaqitje për vepër penale dhe kundërvajtëse.

Por, kryeinspektori Zogu në një përgjigje për KOHËN ka thënë se pas marrjes së informacioneve nga kryeshefi i asaj kohe i APK-së, Ahmet Zejnullahu, ka kërkuar nga inspektorët që të zhvillohen kontrolle të jashtëzakonshme.

“Kemi ardhur në përfundime se tek rasti i ndërtimeve rreth Liqenit të Batllavës kanë qenë zona të mbrojtura ujore, për çka lënda është bartur tek MMPHI-ja”, ka thënë ai.

Ai ka dhënë këtë arsyetim, ani se në komunikimet që ka zhvilluar me zyrtarë të Ministrisë, Zogut i është bërë e qartë se Agjencia e Pyjeve përmes Inspektoratit duhet të merret me to.

“MMPHI-ja nuk menaxhon me prona të AKP-së që janë në zona të mbrojtura, përveç nëse janë prona ujore sipas ligjit nr. 04/L-147 për ujërat e Kosovës”, thuhet në një nga përgjigjet elektronike që zyrtarë të Ministrisë ia kanë përcjellë kryeinspektorit Zogu.

Edhe një interpretim ligjor i Zyrës së Kryeministrit thotë se APK-ja menaxhon me toka pyjore publike dhe private dhe se është përgjegjëse për çështjet e ndërlidhura në rregullimin e pyjeve, tokave pyjore private, menaxhimin dhe administrimin e pyjeve dhe tokave pyjore publike, si dhe pyjeve në parqet nacionale.

Gjithashtu, sipas Udhëzimit Administrativ 01/2020 për ndryshimin dhe plotësimin e Udhëzimit Administrativ nr.10/2010 për ndryshimin dhe plotësimin e Udhëzimit Administrativ nr.41/2006 për ndërrimin e destinimit të tokës bujqësore, pyjet dhe tokat pyjore mund të jepen me qira nga APK-ja dhe neni 7, pika 1.9 parasheh që për pronat e mbrojtura të kërkohet pëlqim nga Ministria përgjegjëse e Ambientit.

Në Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor kanë thënë për KOHËN se Inspektorati i kësaj ministrie nuk ka zhvilluar ndonjë aktivitet në zonën e Liqenit të Batllavës dhe kanë dhënë arsyen pse e kanë bërë këtë.

“Bazuar në legjislacionin në fuqi, kompetent për pyje janë: Agjencia Pyjore e Kosovës dhe Komuna, varësisht nga kategoria, ndërsa ndërtimet janë kategori I (parë) e ndërtimit e që përsëri duke u bazuar në ligje për ndërtim kjo kategori është kompetencë e komunave përkatëse”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.

Sipas Udhëzimit Administrativ për zonat e mbrojtura sanitare, në zonën e parë nuk lejohen ndërtimet dhe se përgjegjëse është MMPHI-ja, e cila më parë në këtë zonë kishte rrënuar objekte pa leje.

Ndërsa ndërtimet jashtë zonës së parë janë përgjegjësi e komunës. Por, për çdo prerje dhe ndërtim në toka pyjore duhet pëlqim paraprak nga APK-ja. Nëse këto pëlqime nuk janë, Inspektorati i Pyjeve duhet të marrë masa për të gjitha aktivitetet e paligjshme në këtë sektor në të territorin e Kosovës, duke përfshirë edhe ndërtime në pyjet dhe tokat pyjore rreth Liqenit te Batllavës.

E Komuna e Podujevës me një inspektor ndërtimi thotë se po bën aq sa mundet që të ndalojë ndërtimet pa leje në atë zonë.

Drejtori i Inspektoratit në këtë komunë, Besnik Mulliqi, ka thënë se kanë ndërmarrë disa aksione për ndërprerjen e punimeve në disa objekte private dhe komerciale.

Por, sipas tij, kjo situatë është trashëguar nga qeverisjet e kaluara.

“Po flasim për një zonë të nxehtë. Janë 39 objekt pa leje. Por tash e tutje nuk ka asnjë ndërtim. Inspektorët janë çdo ditë atje. Aty ka pasur ndërtime çdo ditë. Një gjë e tillë është ndaluar. Për këto që janë ndërtuar më herët po mundohemi që të bëjmë zgjidhje”, ka thënë Mulliqi.

Ai ka treguar se tashmë 13 vendime janë dërguar për rrënime të objekteve. Ato nuk janë ekzekutuar, meqë janë në zhvillim procedurat e ankimimit të iniciuara nga pronarët e objekteve të ngritura.

“Situatën e kemi gjetur të trashëguar. Është një zonë që është ndërtuar shumë. Por punën e parë që kam bërë pas marrjes së detyrës është zona e Batllavës dhe Orllanit, ku kam kërkuar raport nga inspektorët. Të njëjtat objekte nuk janë të pajisura me dokumentacione të nevojshme, siç është pëlqimi në komunë dhe një numër tjetër i dokumentacioneve”, ka thënë ai.

Mulliqi ka pohuar se ka pasur raste kur Agjencia e Pyjeve të Kosovës ka lëshuar dokumentin për ndërrim të destinimit të tokës para marrjes së kushteve për ndërtim nga Komuna.

“Realisht edhe me këtë kemi pasur probleme, pasi fillimisht është e rregulluar që niveli lokal të lëshojë kushte e pastaj të bëhet shndërrimi, por ka pasur raste që Agjencia ka lëshuar e para atë akt dhe niveli lokal ka qenë para një akti të kryer”, ka thënë ai.

Drejtori i Inspektoratit të Komunës së Podujevës ka bërë të ditur se ka pasur tentativa për ndërtime, por që, sipas tij, inspektorët e Komunës ndodhen në terren dhe nuk do të lejojnë një gjë të tillë.

Derisa institucionet akuzojnë njëra-tjetrën se kush është përgjegjës për lejimin e ndërtimeve pa leje, pronarë të tokave kanë vazhduar punën në investime në atë pjesë.