Arbëri

Morina: S’ka mjaftueshëm mjekë familjarë për të mbuluar shërbimet

Dita Ndërkombëtare e Mjekut Familjar, udhëheqësja e divizionit për shërbimin parësor në kuadër të MSH-së, Albana Morina, maj 2022

Doktoresha Albana Morina, e cila është udhëheqëse e divizionit për kujdes parësor në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, ka thënë se në Kosovë nuk ka numër të mjaftueshëm të mjekëve familjarë për të mbuluar shërbimet ndaj popullatës.

E ftuar në emisionin 60 Minuta të KTV-së, Morina në Ditën Ndërkombëtare të Mjekut Familjar ka thënë se përjashtuar rastet emergjente, mjeku familjar ofron shërbime gjithëpërfshirëse, më lehtë të qasshme dhe me kosto më efektive, ndërsa ka shtuar se është obligim ligjor që secili pacient ta përzgjedhë mjekun familjar në mënyrë që të orientohen për shërbime në mjekësi familjare.

“Secili qytetar është i obliguar që fillimisht të drejtohet te mjeku familjar për të marrë shërbimin dhe më pas nëse mjeku familjar e vlerëson që duhet ndonjë konsultë nga specialistët, qytetari e bën në mënyrë që të rikthehet përsëri te mjeku familjar për të përcjellë gjendjen. Nuk kemi numër aq sa duhet për t’u mbuluar popullata me shërbime, pasi që një ekip i mjekësisë familjare, një mjek familjar me dy infermiere ofron shërbime për dy mijë banorë. Kemi një numër të konsiderueshëm që duhet të shtohet i mjekëve familjarë”, ka thënë ajo.

Udhëheqësja e divizionit për kujdes parësor ka thënë se po punohet në hartat zonale ku do të jenë të përfshira të gjitha komunat në mënyrë që zonimi të jetë i ndarë sipas rrjetit të institucioneve në nivel të komunës, ku secili qytetar mund të marrë shërbimin në institucionin më të afërt shëndetësor.

Ajo ka thënë se aktualisht janë mbi 400 institucione i kemi në kujdes parësor shëndetësor, ndërsa në kuadër të shërbimeve që ofrohen aty janë menaxhimi i sëmundjeve kronike, kirurgjitë e vogla dhe shëndeti riprodhues.

Sa i përket furnizimit nga lista esenciale e barnave, Morina ka thënë se në bazë të takimeve që kanë realizuar në vazhdimësi me komunat, furnizimi me barna është i kënaqshëm.