Arbëri

Krasniqi për vendimin e tarifave të rrymës: E ndaluam haraçin e pushtetit mbi qytetarët

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në një konferencë për media ka thënë se vendimi i Gjykatës së Apelit për vërtetimin e vendimit të Gjykatës Themelore lidhur me bllokimin e tarifave të shtrenjtuara të energjisë elektrike nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë, është fitore ligjore e PDK-së.

Krasniqi ka thënë se falë vendimit të Apelit, rreth 450 mijë familje kosovare do të paguajnë energjinë elektrike pa ngritje të çmimit.

"Sot, jam shumë i lumtur që ky vendim i padrejtë dhe i paarsyeshëm i Qeverisë dhe ZRRE-së, tashmë është konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit se ka qenë vendim i kundërligjshëm. Për më shumë të njëjtin vendim e kishin mbështetur në forma të ndryshme edhe presidentja dhe të gjitha levat e pushtetit. Falë punës dhe angazhimit të këtij ekipi, e përmes vendimit të djeshëm të Gjykatës së Apelit, saga për tarifat e reja e të padrejta mbi qytetarë ka marrë fund”, tha ai.

Krasniqi falënderoi qytetarët që mbështetën partinë e tij për ta ndaluar, siç ka thënë ai, haraçin e pushtetit mbi ta.

“Me këtë rast, para së gjithash dua të shprehë falënderimin për secilin qytetar anekënd Kosovës që i ka besuar kauzës sonë dhe që ka mbështetur angazhimin tonë opozitar për të ndaluar këtë haraç të padrejtë të pushtetit mbi ta", tha ai.

Krasniqi theksoi se rritja e çmimit të energjisë elektrike për familjet kosovare ka qenë një zgjidhje e paramenduar dhe e projektuar nga Qeveria Kurti.

"Në parim, është një precedent shumë i keq fakti se një institucion që do të duhej të ishte i pavarur si ZRRE-ja, është vënë në zbatim ekskluziv të projeksioneve të pushtetit, dhe këtë e ka bërë me një injorim të plotë për interesin qytetar dhe me një ftohtësi të plotë", tha kreu i PDK-së.

Krasniqi kritikoi pushtetin në Kuvend dhe Qeverinë Kurti për mungesë konsiderate ndaj kostos së çmimit të energjisë elektrike që ishte vendosur për qytetarët me tarifat e reja.

"Natyrisht, kjo fitore ligjore e PDK-së, me mbështetjen edhe të partive tjera opozitare, ndaj pushtetit dhe vendimeve të kundërligjshme të tij, nuk është fitore politike ndaj pushtetit, por fitore meritore për të drejtat e qytetarëve përballë autoritetit të pushtetit kur ai autoritet përdoret kundërligjshëm dhe në dëm të interesit publik”, potencoi Krasniqi.