Arbëri

PDK-ja rikthen “Qeverinë në hije”

Partia Demokratike e Kosovës ka kthyer “Qeverinë në hije”. Të martën, kreu i kësaj partie, Memli Krasniqi, në prezantimin e “Kabinetit të Qeverisjes së Mirë”, ka thënë se kjo do të jetë platformë politike alternative përballë asaj që ai e ka quajtur keqqeverisje aktuale.

Duke e kritikuar Qeverinë Kurti, Krasniqi ka thënë se PDK-ja ka vendosur të përgjigjet “me një platformë të duhur dhe me një vizion të ri politik - të bazuar në dije dhe kompetencë”.

“Ditët e qeverisjes depresive duhet të marrin fund, prandaj e shohim të domosdoshme që qytetarëve t’u ofrojmë një perspektivë të re dhe një zotim të palëkundur për të ardhmen që duhet ta ndërtojmë së bashku. Për këtë vizion kaq të nevojshëm dhe kaq domethënës, Partia Demokratike po themelon Kabinetin e Qeverisjes së Mirë – me të cilin do të shpalosë politikat alternative të qeverisjes që sot i mungojnë Kosovës, e që i duhen asaj më shumë se kurrë. Përmes këtij Kabineti, ne do të shpalosim para qytetarëve vizionin dhe modelin e qeverisjes së ardhshme që do të udhëhiqet nga PDK”, ka deklaruar lideri i PDK-së.

Sipas Krasniqit, alternativa “përballë keqqeverisjes, do të korrektojë qeverisjen aktuale e do të ofrojë vizionin e qeverisjes së ardhshme”.

“Kabineti për Qeverisje të Mirë” do t’i ketë 15 Departamente dhe 5 prioritete thelbësore: Ekonomi Transformuese, Digjitale dhe e Gjelbër; Rend Publik dhe Siguri Qytetare; Kulturë, Kapitali Njerëzor Konkurrues; Shëndetësi Cilësore, si dhe Diplomacia Aktive dhe Bashkëpunim Ndërshqiptar, sipas njoftimit të PDK-së.

Krasniqi ka thënë se në ditët në vijim do t’i prezantojë ekipet udhëheqëse të departamenteve.

PDK-ja ka thënë se së shpejti do të nisë edhe platformën e re politike “Dialog me Kosovën”, duke zhvilluar diskutime me qytetarët.

Një kabinet të tillë PDK-ja e pati bërë 17 vjet më parë, në kohën kur ishte në opozitë e vendi udhëhiqej nga AAK-ja në krye me Bajram Kosumin, si kryeministër.