Arbëri

OJQ-ja nga veriu lanson portalin “Miqësia serbo - shqiptare”

Organizata Joqeveritare Aktiv nga Mitrovica e Veriut, ka lansuar të martën një faqe të internetit në tri gjuhë: shqip, serbisht dhe anglisht, por qëllimi sipas autorëve, është të informojë më shumë për dy kombe: shqiptarët e serbët.

“Veçanërisht të rinjtë, të mësojnë për anët e mira të marrëdhënieve serbo-shqiptare, për të cilat nuk dihet mjaftueshëm”, tha autorja e këtij portali Aleksandra Pavloviq, gjatë promovimit të tij të martën në Çagllavicë, përcjell “Radio KIM”

Faqja është quajtur “Miqësia Serbo-Shqiptare” dhe ofrohen seksionet në 3 gjuhë.

“Këtu mund të gjeni shembuj të ndryshëm tregimesh, për Faruk Begolin, për Bekim Fehmiun, Skënderbeun, për lidhjet serbo-shqiptare në Mesjetë. Të gjitha këto lidhje ju çojnë në një përmbajtje më të madhe. Këto nuk janë histori klasike akademike, janë më shumë të karakterit gazetaresk”, shtoi Pavloviq.

Drejtori ekzekutiv i Fondit të Kosovës për të Drejtën Humanitare, Bekim Blakaj, tha se “një faqe e tillë është e nevojshme për serbët dhe shqiptarët në rrugën e pajtimit”.

“Kryesisht njerëzit në Kosovë dhe Serbi përdorin ose marrin informacione të ofruara nga mediat, qofshin ato elektronike apo të llojeve të tjera të mediave, dhe asnjëherë nuk mund t'i qasen lehtësisht informacioneve që tani janë në këtë portal. Mendoj se është shumë e rëndësishme që ata që janë të interesuar, veçanërisht të rinjtë, të kenë një burim informacioni për marrëdhëniet serbo-shqiptare gjatë historisë”, tha Blakaj.

Pas prezantimit të faqes, sipas “Radio KIM”, u mbajt një diskutim me temën “Jeta e përbashkët e serbëve dhe shqiptarëve në sytë e aktivistëve dhe vëzhguesve vendas”.

Aktivistja për të drejtat e njeriut Nora Ahmetaj, tha se shembuj pozitivë të jetës së serbëve dhe shqiptarëve vështirë se mund të shihen në publik.

Drejtori ekzekutiv i organizatës joqeveritare Aktiv, Miodrag Miliçeviq, beson se retorika nxitëse e politikanëve ka reflektuar negativisht në marrëdhëniet mes dy popujve.

Pjesëmarrësit në panelin e diskutimit ranë dakord se hapi i parë drejt pajtimit ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve duhet të jetë ndriçimi i fatit të personave të zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Sipas “Radio KIM”, faqja e internetit "Miqësia Shqiptare Serbe" është pjesë e projektit "Përmirësimi i Miqësisë Serbo-Shqiptare" i zbatuar nga organizata Aktiv në partneritet me Institutin e Filozofisë dhe Teorisë Sociale në Beogradi dhe Lëvizjes Evropiane në Serbi, me mbështetjen e Ambasadës së Zvicrës në Kosovë.