Arbëri

Auditimi gjen vlerësim joreal të nxënësve

Në një raport të Zyrës Kombëtare të Auditimit është nxjerrë konstatimi se ka mangësi në metodologjinë e vlerësimit të nxënësve dhe moszbatim të kërkesave që dalin nga kurrikula. Sipas njohësve të arsimit, metodat që përdoren nga mësimdhënësit për ligjërim dhe testim të tyre nuk ndihmojnë në ngritjen e nivelit kritik. E, mësimdhënësit janë arsyetuar se numri i madh i nxënësve nëpër klasa luan rol në vlerësimin objektiv të tyre

Procesi i vlerësimit të nxënësve në arsimin parauniversitar ka rezultuar të jetë i mangët e joreal, ka konstatuar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në Raportin mbi performancën për “Vlerësimin e nxënësve në testet kombëtare dhe ndërkombëtare”. Sipas këtij dokumenti të publikuar së fundmi, nxënësit janë vlerësuar në fundvit e jo në mënyrë të vazhdueshme, ashtu siç parashihet me plan-program.

Në Raport theksohet se Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) nuk ka ndërmarrë masa për t’i evidentuar e përmirësuar shkaqet.

“Konkluzioni i auditimit është se ka mangësi në metodologjinë e vlerësimit të nxënëseve dhe moszbatim të kërkesave që dalin nga kurrikula. MASHTI, DKA-të dhe shkollat nuk kanë arritur të përmirësojnë metodat e mësimdhënies dhe të vlerësimit në përputhje me kërkesat e kurrikulës dhe me praktikat më të mira të nxjerra nga Agjencia Evropiane për Sigurimin e Cilësisë”, shkruan në Raport.

Në shkolla thonë se adresimi i këtyre vërejtjeve nuk do të ishte i vështirë.

Arlinda Zeqiri është mësimdhënëse në shkollën fillore “Dardania” në Prishtinë. Ajo ka thënë se nuk është i vështirë vlerësimi i vazhdueshëm i nxënësve nëse planifikohet mirë që nga fillimi. Por e ka pranuar se është sfidues procesi i vlerësimit në klasa me numër të madh të nxënësve.

“Normalisht, kur ka numër shumë të madh të nxënësve është më vështirë pasi për secilin duhet të mblidhen informacione dhe dëshmi, sepse vlerësimi duhet të jetë objektiv dhe i matshëm. Duhet përdorur shumë instrumente të ndryshme lidhur me vlerësimin e nxënësve. Nuk është shumë vështirë, mirëpo normalisht që kërkon punë ”, ka thënë ajo.

Problematike, sipas Raportit të Auditorit, është edhe mungesa e një kornize të standardizuar qendrore që përcakton specifikisht kriteret për marrjen e notave 1 deri në 5. Kjo mungesë e standardizimit lejon subjektivitetin e mësimdhënësit në vlerësimin e nxënësve, thuhet në dokument.

Notimi i nxënësve është i paraparë më Udhëzimin Administrativ të miratuar në vitin 2016. Por në Raportin e ZKA-së është rekomanduar që në proces vlerësimi të përfshihen në detaje kërkesat e kurrikulës për çdo lëndë dhe nivel të arsimit parauniversitar.

Në sistemin arsimor përdoret vlerësimi me teste përmes pyetjeve me përgjigje të shumëfishta, si dhe ligjërimi pa përfshirjen e nxënësve.

Sipas njohësve të arsimit, këto metoda nuk u mundësojnë nxënësve t’i testojnë shkathtësitë, si dhe nuk u ndihmojnë atyre në ngritjen e nivelit kritik.

Egzon Gashi, drejtor në “Teach for Kosova”, ka thënë se ndryshimi i qasjes së mësimdhënësve gjatë orës mësimore është jetik për rritjen e cilësisë në arsim.

“Shpeshherë kur shkoj në vëzhgime në klasa e shoh që mësimdhënësi ligjëron për 40-45 minuta dhe në fund të orës i pyet nxënësit se a keni ndonjë pyetje. Në një anë nuk ka nxënësi as kohë të bëjë pyetje, se është fundi i orës, por edhe nëse ka pyetje, ato ose harrohen ose nuk e kanë mundësinë të bëjnë pyetje gjatë orës”, ka thënë ai.

Në Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK) kanë thënë se trajnimet jo të duhura të mësimdhënësve dhe ndërrimi i shpeshtë i planprogrameve kanë ndikuar në cilësinë e mësimdhënies.

Ymer Ymeri, anëtar i Kryesisë së SBASHK-ut, ka shtruar nevojën për një analizë të detajuar nga Ministria e Arsimit, me qëllim për t’i evidentuar se ku janë problemet dhe mangësitë në sistem.

“Kanë ndryshuar shumë shpesh planprogramet arsimore, dhe shumë rrallë kanë qenë mësimdhënësit të përfshirë në përpilimin e këtyre planprogrameve. Kanë bërë ekspertë të ndryshëm, kanë bërë planprograme, ka pasur raste kur ekspertë të ndryshëm nuk kanë qenë as mësimdhënës më përpara, as nuk e kanë njohur tamam këtë fushë”, ka thënë Ymeri.

Raporti e ZKA-së ka gjetur se për mënyrën e vlerësimit të nxënësve gjatë gjithë vitit shkollor nuk ka pasur monitorim nga institucionet përgjegjëse.

“Bazuar në raportet e ofruara nga Inspektorati i Arsimit, nuk janë bërë inspektime për mënyrën se si mësimdhënësit i vlerësojnë nxënësit përmes instrumenteve të vlerësimit të shumëfishtë dhe nëse ata mbajnë ditarë dhe i vlerësojnë nxënësit në bazë ditore”, thuhet në Raport.

E, në Inspektoratin e Arsimit kanë theksuar se kjo ndodh për shkak të mungesës së stafit.

KOHA ka raportuar më parë se si pasojë e mungesës së inspektorëve ka ngecur procesi i monitorimit të performancës së mësimdhënësve. Në muajin e shkuar kur ka raportuar KOHA për këtë, numri i inspektorëve të arsimit ishte rreth 40.

Subjekt i auditimit për raportin e performancës për “Vlerësimin e nxënësve në testet kombëtare dhe ndërkombëtare” ishin MASHTI dhe komunat Novobërdë, Istog dhe Prizren.