Arbëri

Lajçaku dështon t’i bindë palët për marrëveshje

Në vend që të shënojnë përparim, takimet në kuadër të dialogut në Bruksel që u zhvilluan të premten dëshmuan se nuk ka vullnet për marrëveshje. I dërguari i posaçëm i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, ka thënë se nuk u arrit asnjë marrëveshje për targat, por u bë përparim për çështje të tjera. Ndërsa fajin për mosarritjen e marrëveshjes kryenegociatori Besnik Bislimi ia ka hedhur Serbisë. Ndërsa kryeministri Albin Kurti ka thënë se Serbia nuk është e interesuar për marrëveshje dhe se asaj po i pengon përparimi i Kosovës

I dërguari i posaçëm i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, për më shumë se dy vjet prej kur ka marrë këtë detyrë, nuk ka arritur të bindë përfaqësuesit e Kosovës dhe të Serbisë që të bien dakord për asnjë marrëveshje. Tentimet e tij kanë dështuar edhe të premten në Bruksel. Madje nuk ka pasur fare takime të ndërsjella të delegacioneve të dy shteteve. Ato kanë biseduar gjatë ditës vetëm me të dërguarin e posaçëm Lajçak. Pas këtyre takimeve shefat e dy delegacioneve, si zakonisht, dhanë deklarata krejtësisht të kundërta për rrjedhën e dialogut duke akuzuar njëra-tjetrën për dështim.

Lajçak u detyrua të pranojë me keqardhje se nuk është arritur marrëveshja, por përmendi edhe përparim në disa çështje. Në një shkrim në Twitter, ai ka konfirmuar përfundimin e takimeve të ndara me kryenegociatorët.

“Rezultate të përziera. Fatkeqësisht, nuk u arrit asnjë marrëveshje për targat, por u bë përparim për çështje të tjera, përfshirë energjinë”, ka thënë ai. “Puna do të vazhdojë”.

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh shef i ekipit negociator të Kosovës me Serbinë, ka akuzuar palën serbe për keqpërdorim të takimeve në Bruksel. Bislimi ka thënë se para takimeve ishte optimist, sepse kishte sinjale se mund të arrihej marrëveshja.

“Ky ka qenë garancioni që na është thënë që të vijmë këtu. Fatkeqësisht pamë sjellje të çuditshme të palës serbe. Thotë se ka ide, por s’mund ta shpalosë se ka probleme politike. Udhëtimi ka qenë krejt i kotë, sepse si duket kanë ardhur në Bruksel sa për të krijuar lajmet në media se dëshirojnë të bisedojnë, por pa kurrfarë ideje, propozimi a zgjidhje”, ka thënë ai.

Zëvendëskryeministri Bislimi ka theksuar se Serbia ka tentuar të fusë çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në agjendë.

“Kam kërkuar takim trepalësh, por si duket në momentin kur pala serbe është konfrontuar me këtë kërkesë i ka ardhur një intervenim nga Serbia, të cilën kanë dashur ta keqpërdorin këtë duke futur një temë të re në agjendë dhe kanë thënë që mund të ndodhë takimi trepalësh nëse fillimisht bisedohet për Asociacionin e komunave serbe, të cilën gjë natyrisht s’kemi mundur ta pranojmë pasi agjenda ka qenë e paracaktuar”, ka shtuar ai.

Petar Petkoviq, si kryenegociator i Serbisë, ka thënë se bisedimet janë vështirësuar pas kërkesës së Kosovës për pranim në Këshillin e Evropës. Sipas tij, Kosova ka refuzuar të diskutojë për Asociacionin.

Shefi i delegacionit të Kosovës, Besnik Bislimi, ka hedhur poshtë çdo ide që kërkesa e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës të përfshihet në dialog. Ai ka thënë se është Serbia ajo që shkel parimet e dialogut, pasi marrëveshja thotë se palët nuk duhet të pengojnë e as të inkurajojnë të tjerët të pengojnë avancimin në rrugëtimin evropian.

Për mosarritjen e marrëveshjes për targat ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai ka thënë se Serbia nuk është e interesuar për marrëveshje dhe se asaj po i pengon përparimi i Kosovës.

Kurti, i cili po qëndron për vizitë në Shtetet e Bashkuara, ka thënë se nuk e ka ndjekur nga afër këtë proces, porse shtoi se pret nga ndërmjetësuesi Miroslav Lajçak të tregojë se cila palë nuk ishte konstruktive.

“Unë nuk kam dilema. E di që kryenegociatori ynë Besnik Bislimi ka qenë edhe konstruktiv, edhe kreativ, por qartazi Beogradi nuk është i interesuar të ketë marrëveshje”, ka thënë Kurti për televizionin publik. “Ne nuk duam asnjëherë ta vëmë në pikëpyetje parimin e reciprocitetit. I takon ndërmjetësit që ta sqarojë se pse konkretisht nuk u arrit marrëveshja, e cila ka qenë mjaft afër e për të cilën edhe Lajçak është angazhuar shumë”, shtoi Kurti.

Shefi i Qeverisë së Kosovës ka thënë se Serbia tashmë e ka shtuar agresivitetin ndaj Kosovës për shkak se asaj po i pengon përparimi i Kosovës.

“Ne po përparojmë në të gjitha fushat, e kjo i pengon atij. Ne e bëjmë punën tonë, por duhet edhe kancelaritë perëndimore t’i tregojnë Beogradit që nuk mund të vazhdojë kësisoj më tutje”, ka deklaruar Kurti.

Sipas burimeve diplomatike në Bruksel nuk pritet që të ketë më diskutime për çështjen e targave. Ndërsa mund të ketë përpjekje për takime të reja, ku do të diskutohen çështjet e energjisë. Nëse nuk do të ketë përparim në arritjen e ndonjë marrëveshjeje konkrete nuk pritet të ketë takim të nivelit të lartë, pra të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.