5 perditesime
21:13

Surroi: Kjo qeveri nuk e konsideron buxhetin si bankomat personal

Publicisti Veton Surroi ka thënë se Qeveria aktuale nuk e konsideron buxhetin e shtetit si një bankomat personal.

Në një intervistë në “Desku” të KTV-së, Surroi ka thënë se ekzekutivi ka një përgjegjësi financiare që tregon kulturë të re qeverisëse.

“Mendoj se për herë të parë e kemi një qeveri, e cila nuk e konsideron buxhetin e vet si një bankomat personal, ku ti e fut kartelën dhe nxjerr lekë dhe i shpërndan gjithandej ku të teket qejfi. Ekziston një përgjegjësi financiare e kësaj qeverie dhe duket se kjo tregon një kulturë të re të qeverisjes. Shpresoj që të jetë ashtu, shpresoj që e kemi kaluar dhe kushdo që të vijë në pushtet pas kësaj qeverie, opozita e sotme kurdo që të vijë në pushtet të ketë një kulturë të tillë dhe besoj që brenda partive opozitare ekziston në rritje kjo ndjesi”, ka thënë ai.

I pyetur për dështimet e saj, Surroi ka thënë se ajo që do t’i ndihmonte Qeverisë është të vlerësonte veprimet e saj karshi pritshmërive.

Surroi njoftoi se në Samitin e Parisit, që do të mbahet në qershor, do të bisedohet për sigurinë energjetike të rajonit.

“Ia vlen të investohet shumë energji politike për të parë se si do të ballafaqohemi me pasojat e luftës në Ukrainë, në gjysmëvjetorin e dytë”, ka thënë ai.

 

21:10

Surroi: Me nënshkrimin e vet, Kosova tha se është shtet i papërcaktuar

Publicisti Veton Surroi ka thënë se Kosova nuk e ka përdorur si avantazh të saj vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me shpalljen e Pavarësisë dhe hyri në një proces dialogu me Serbinë në vitin 2011, duke mos e shfrytëzuar këtë vendim.

I ftuar në “Desku” të KTV-së, Surroi ka thënë se asokohe aktiviteti politik ka qenë i gabuar, pasi që nuk është investuar në proces më të avancuar negociator.

“Problemi i njohjeve është produkt i një vendimi strategjik që e bëri Kosova në vitin 2011 duke hyrë në një proces dialogu që nuk shfrytëzonte vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Siç e pamë, z. Putin e përdori tani në bisedën me sekretarin e përgjithshëm të OKB-së, por Kosova asokohe këtë fitore të madhe të drejtësisë nuk e përdori në avantazh të vetin. Aktiviteti politik qe i gabuar, vendimet politike qenë të gabuara të pushtetit të asokohshëm, të të gjitha strukturave në pushtet dhe në vend të investimit të një energjie për një proces shumë më të avancuar negociator, Kosova me nënshkrimin e vet e tha që është një shtet i cili është ende i papërcaktuar”, ka thënë ai.

Sipas tij, dialogu është shndërruar në një pikë që e frenon një identitet shumë më dinamik ndërkombëtar të Kosovës.

Surroi ka thënë se Kosova duhet t’i mbajë të informuara shtetet mosnjohëse se është e bllokuar nga Serbia në disa çështje, ndër të cilat hyn edhe energjia elektrike.

“Sfida tani është se si të ndërlidhet progresi ose mungesa e progresit, por jo për faj të Kosovës në dialog me zhbllokimin e qëndrimit të shteteve. Nëse i mbajmë të informuara se pse jemi të bllokuar për një apo tjetër çështje, p.sh. çështja e energjisë elektrike është e bllokuar për faj të Serbisë. Të gjitha veprimet që është dashur t’i bënte Kosova i ka bërë, por Serbia e mban të bllokuar, sepse e përdor për dobi të tjera të veta, qofshin ekonomike apo politike”, ka thënë ai.

20:59

Surroi: Rusia po e shfrytëzon Serbinë për çrregullime në rajon

Rusia ka qenë dhe është duke e shfrytëzuar Serbinë si pikë të çrregullimeve ose të mospërfundimit të arkitekturës të sigurisë politike të NATO-s dhe të BE-së në Ballkanin Perëndimor, ka thënë publicisti Veton Surroi, të enjten, në “Desku” të KTV-së.

Surroi ka deklaruar se për këtë arsye duhet qëndruar sa më afër retorikës së bashkëpunimit dhe zgjidhjes së problemeve.

“Për Kosovën është me rëndësi që të mbërrijmë të zbërthejmë kontekstin politik në mënyrë që të krijohet mundësia për integrim të Kosovës në NATO. Rusia ka qenë duke bërë, është duke bërë veprime, duke e shfrytëzuar Serbinë si pikë të çrregullimeve ose të mospërfundimit të arkitekturës të sigurisë politike të NATO-s dhe të BE-së në Ballkanin Perëndimor, por ky është një dimension i cili mund të trajtohet në formë politike, prandaj sa më larg retorikave të frikës e luftërave dhe sa më afër asaj të bashkëpunimit dhe të zgjidhjes së problemeve”, ka thënë Surroi.

Ai ka folur edhe për “Ballkanin e Hapur” duke thënë se ky proces ka nisur me përgatitje jo të mirë politike.

20:29

Surroi: Nëse s’ndryshon koncepti, dialogu mund të vazhdojë edhe 10 vjet

Publicisti Veton Surroi ka thënë se nëse vazhdon sistemi aktual negociator i Bashkimit Evropian, dialogu Kosovë-Serbi mund të vazhdojë edhe për 10 vjet të tjerë dhe produkti do të jetë i njëjtë.

Surroi ka thënë në “Desku” të KTV-së, të enjten, se nëse duhet të zhvillohen negociata për t’u zbatuar çështjet për të cilat është rëndë dakord, kjo do të thotë se ato për të cilat është rënë dakord nuk janë të mira.

“Sistemi negociator, koncepti negociator i BE-së është i njëjti, i cili ka filluar në vitin 2011 dhe nëse nuk ndryshon ky sistem mund të vazhdojnë edhe 10 vjet të tjerë dhe produkti do të jetë pak a shumë i njëjtë. Ideja se tash duhet përqendruar në marrëveshje parciale edhe implementimin e tyre dhe të krijohet një lloj procesi paralel negociator për implementimin e një marrëveshjeje tregon një sistem negocimi jo të mirë, sepse nëse duhet të bëhen negociata për t’i zbatuar ato që janë dakorduar më herët, do të thotë se ato që janë dakorduar më herët nuk janë shumë të mira. Nuk mund ta kalosh një 10-vjetësh të tërë duke diskutuar për targa, për energji etj., problemi është se si të ndërtohet brenda ndërmjetësimit të BE-së, me ndërmjetësimin e BE-së, me z. Lajçak, me shtetet anëtare, një proces më i avancuar negociator, i cili duket se është në interes të të gjithëve, që të dilet prej rrethit vicioz prej targave e të tilla dhe të kalohet në çështje të cilat janë thelbësore”, ka thënë Surroi.

Ai ka shtuar se Serbia ka përfituar shumë nga procesi i dialogut dhe se për këtë shtet më i dobishëm është procesi aktual i dialogut.

“Janë dy faktorë të cilët janë të panjohur: faktori i parë është kontekstualizimi politik se si të ngrihet procesi i negociatave në një nivel më thelbësor, kjo ka të bëjë me investimin politik që duhet ta bëjnë shtetet anëtare të BE-së dhe SHBA-ja. I dyti është se a e sheh apo jo Serbia të dobishëm një proces më serioz, sepse Serbia deri tani e ka parë më të dobishëm këtë proces, ka përfituar shumë, në 10 vjetët e fundit e ka transformuar pozitën e vet gjeopolitike. Brenda këtyre 10 vjetëve investitorët gjermanë kanë hapur fabrika në Serbi në të cilat janë të punësuar 75 mijë punëtorë”, është shprehur publicisti Surroi.

20:21

Surroi: S’do të ketë anëtarësime të reja në BE brenda këtij dhjetëvjetëshi

Publicisti dhe shkrimtari Veton Surroi ka thënë se është e sigurt që brenda këtij dhjetëvjetëshi nuk do të ketë anëtarësime të reja në Bashkimin Evropian, duke përmendur Ukrainën si shembull.

I ftuar në “DESKU” të KTV-së të enjten, Surroi u shpreh se meqë për Ukrainën mund të zgjasë disa vjet procesi i anëtarësimit në BE, atëherë, sipas tij, e njëjta vlen, me pak kufizime, edhe për Kosovën e Serbinë.

“Kur filloi procesi negociator në Bruksel ideja ishte që, për ta thjeshtuar, Serbia do ta njihte Kosovën kur do të ishte gati për të hyrë në Bashkimin Evropian. Kjo ishte korniza e jashtme e këtij procesi. Tashmë është e qartë me Ukrainën, dhe me deklarimin e presidentit Macron, që i tha Ukrainës e cila mund ta marrë ndoshta statusin e kandidatit në qershor të këtij viti bashkë me Gjeorgjinë dhe Moldavinë. Marrja e statusit kandidat nuk do të thotë që shpejtohet procesi i anëtarësimit, madje ky proces mund të marrë disa dhjetëvjetësh. Nëse kjo është e vërtetë për Ukrainën, Gjeorgjinë e Moldavinë, atëherë është po aq e vërtetë, ndoshta më e kufizuar, në rastin e Kosovës dhe Serbisë. Ajo që e kemi të sigurt është që nuk do të ketë anëtarësime të reja brenda këtij dhjetëvjetëshi që jemi. Mund të thuhet me siguri të madhe se në vitin 2030 nuk do të ketë anëtarë të rinj të këtij regjioni në BE”, ka thënë Surroi.

20:15

Surroi: Aplikimi në KE, zhvillimi më i madh diplomatik në 12 muaj

Aplikimi i Kosovës për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës është zhvillimi më i madh në politikën e jashtme gjatë 12 muajve të fundit, sipas publicistit dhe shkrimtarit Veton Surroi.

Ai ka thënë se aplikimi në KE do të jetë edhe një test për shtetet të cilat e kanë njohur Kosovën.

“Është zhvillimi më i madh në politikë të jashtme gjatë 12 muajve të fundit. Kemi të bëjmë me një organizatë e cila është krijuar si një lloj paradhome për të gjitha integrimet e tjera evropiane. Aty ka qenë edhe Rusia me shpresë që një ditë do të reformohet. Ky aplikim ka disa dimensione, njëri prej tyre është qartazi një test me shtetet të cilat na kanë njohur. 34 nga 31 shtete sa nevojiten për të votuar pro anëtarësimit na kanë njohur. Nëse kjo është e vërtetë, votimi do të duhej të ishte relativisht i lehtë”, ka thënë Surroi të enjten në “DESKU” të KTV-së.

Surroi ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në KE do t’i ndihmonte edhe qytetarët që nuk kanë qenë të kënaqur me sistemin gjyqësor të Kosovës, përfshirë ata që kërkojnë pensione e rroga të papaguara nga Serbia.

“Anëtarësimi ka rëndësi dimensionale të ndryshme. Kosova bëhet edhe anëtare e gjykatës, le të themi, e fundit në Evropë. Kjo ka rëndësi për qytetarët dhe për Kosovën në tërësi. Ndërlidhja e Kosovës me Këshillin e Evropës nuk nënkupton që Kosova do të marrë obligime, edhe në aspektin e Gjykatës e cila do të merret me trajtimin e çështjeve që nuk janë kryer brenda sistemit gjyqësor të Kosovës. Anëtarësimi i ka të dyja anët, involvimin e qytetarëve të cilët nuk kanë gjetur satisfaksion brenda sistemit gjyqësor të Kosovës, prandaj ekziston një drojë në Serbi edhe për çështjen e pensioneve, rrogave të papaguara, dëmeve që Serbia ua ka bërë qytetarëve të Kosovës”, ka theksuar Surroi, i cili ka shtuar se me anëtarësimin në KE mund të zgjidhet edhe çështja e Manastirit të Deçanit.

Kosova aplikoi të enjten për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Këshilli i Evropës ka 46 shtete anëtare. Për pranim mjafton përkrahja e dy të tretave të tyre. Shpresat për pranim janë shtuar pasi nga Këshilli i Evropës u përjashtua Rusia, për shkak të pushtimit të Ukrainës.