Arbëri

Vuçiqi paralajmëron “përgjigje serioze” në rast se Kosova aplikon për anëtarësim në KE

Aleksandar Vuciq, dialogu, Vladimir Putin, Rusia

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka paralajmëruar “përgjigje serioze” për Kosovën në rast se aplikon për anëtarësim në Këshillin e Evropës.

Ai, pas takimit me komisionerin e Bashkimit Evropian për Zgjerim dhe Politikë të Fqinjësisë, Oliver Varhelyi, në Bruksel, tha se ka informacione se Prishtina zyrtare të enjten do të paraqesë aplikimin.

“Është një pyetje e vështirë për ne. Është e qartë se disa njerëz po punojnë për të destabilizuar të gjithë rajonin, për të destabilizuar Serbinë. Sonte do të flas për këtë më në detaje. Nëse e bëjnë, atëherë është e qartë se për ta nuk ka marrëveshje as të Brukselit e as të Uashingtonit. Do të jetë interesante të shohim se kush do t’i mbështesë për një gjë të tillë. Në do të përgjigjemi seriozisht dhe me përgjegjësi dhe do ta mbrojmë fuqishëm vendin tonë", tha Vuçiq, përcjell “b92”.

Ai ka paralajmëruar se në "36 orët e ardhshme do të thirr edhe mbledhjen e Këshillit për Siguri Nacionale".

"Nuk do të lejojmë askënd të na nënçmojë", tha Vuçiqi.

Vuçiqi është pjesëmarrës në darkën joformale të organizuar nga shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borell, të mërkurën mbrëma.

Kosova ka shtuar interesimin për anëtarësim në KE, institucioni i vetëm i BE-së që njeh pavarësinë, pas përjashtimit të Rusisë si pasojë e agresionit në Ukrainë.