Arbëri

Takimi “i vështirë” i Berlinit rrit shpresën për marrëveshje në Bruksel

Takimi i së mërkurës në Berlin midis kryeministrit, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk pritet që të prodhojë rezultate në procesin që do përcjellët më pas ndërmjet dy shteteve, kanë vlerësuar njohësit e dialogut.

Darkën joformale ndërmjet Kurtit dhe Vuçiqit në kryeqytetin gjerman, me anë të së cilit është “thyer akulli” i takimeve të munguara për bisedime që nga korriku i vitit të kaluar, analistët Enver Robelli dhe Agon Maliqi e kanë kualifikuar si një përpjekje për intensifikim të bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë.

Robelli ka vlerësuar se lufta në Ukrainë ka ndikuar në mobilizimin e Gjermanisë por edhe të vet Bashkimit Evropian për intensifikimin e dialogut ndërmjet dy shteteve.

“Në këtë frymë duhet parë edhe takimin në Berlin dhe darkën e përbashkët që e organizoi ndërmjetësuesi i BE-së Lajçak me kryeministrin e Kosovës dhe presidentin e Serbisë. Por, unë nuk do të prisja ndonjë zhvillim të madh nga këto takime. Mendoj se është vetëm një tentim për të ringjallur dialogun dhe mbetet për t’u parë se sa do të ketë përparim në takimet e ardhshme, të cilat pritet që të mbahen në Bruksel gjatë ditëve të ardhshme”, ka thënë ai, duke shtuar se BE-ja duhet që ta shpalos qëndrimin e saj lidhur me gatishmërinë e Serbisë për ta njohur Kosovën.

Ai ka vlerësuar ndërkaq se dialogu i 10 vjetëve të fundit nuk ka pasur sukses.

“Mendoj se një dialog siç ka qenë në 10 vjetët e fundit, ku vazhdimisht Serbisë i janë bërë koncensione e lëshime me shpresën se Serbia arrin në pikën për ta njohur Kosovën, nuk ka sjellë sukses. Do të thotë ideja që njëherë të flitet për çështje të tjera e tek në fund të flitet për njohjen e Kosovës nga Serbia është treguar joproduktive, për shkak se Serbia ka 20 vjet që e praktikon strategjinë e njëjtë. Nuk largohet nga bisedimet por nuk përgjigjet në pyetje thelbësore”, ka thënë ai derisa ka shtuar se Gjermania duhet që t’ia bëjë të qartë Serbisë se nuk mund të vazhdohet me qasjen që ka kundruall bisedimeve.

“Pyetja thelbësore është njohja e Republikës së Kosovës nga Republika e Serbisë dhe këtu mendoj që topi është në fushën e BE-së dhe sidomos të Gjermanisë, si fuqi e rëndësishme në unionin evropian për t’ia bërë të qartë Serbisë se nuk mund të ketë zvarritje ose simulim të bisedimeve vetëm për t’iu shmangur pyetjes thelbësore, që është njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia”, ka bërë të ditur Robelli.

Analisti Maliqi ka thënë se nga takimi i së mërkurës në Berlini nuk ka parë gatishmëri për përshpejtimin e procesit drejt arritjes së një marrëveshjeje. Njohësi i procesit të dialogut është shprehur i bindur se ulja përreth një tavoline e Kurtit dhe e Vuçiqit është bërë “për t’ia bërë qejfin” Gjermanisë.

“Darka e mbrëmshme në Berlin më shumë duket si një përpjekje e qeverisë gjermane, para se gjithash, për t’i dhënë një shtysë nivelit më të lartë politik, procesit të dialogut. Ndërsa sa i përket pjesëmarrësve të darkës, liderëve të të dy shteteve, më shumë duket se kanë shkuar aty për t’ia bërë qejfin ndërmjetësuesve dhe qeverisë gjermane sesa nga ndonjë dëshirë e madhe për ta vazhduar dialogun. Më shumë e shoh si dëshirë e vullnet të Gjermanisë për t’i dhënë prioritet e peshë politike dialogut sesa diçka përmbajtjesore, gjë që vërtetohet nga deklaratat pas darkës së liderëve të cilat nuk kanë ndryshuar diçka përmbajtjesore në qëndrimet e tyre mbi dialogun”, ka theksuar Maliqi.

Pas kthimit nga takimet e mbajtura në Berlin, Kurti e Vuçiq të enjten nuk bërë ndonjë deklarim më të hollësishëm për sa u përket diskutimeve të zhvilluara. Krahas klasifikimit të bisedimeve si “shumë të vështira”, presidenti i Serbisë nuk ka dhënë hollësi të tjera mbi takimin me kryeministrin Kurti.

Shefi i Ekzekutivit në Kosovë ka përsëritur qëndrimin se nga dialogu me Serbinë e pranueshme është marrëveshja ligjërisht e obligueshme, e cila në epiqendër ka njohjen reciproke.

“Ky dialog duhet të rezultojë me marrëveshje, por kjo marrëveshje duhet ta ketë njohjen reciproke në qendër. Nuk them se njohja reciproke duhet të jetë i vetmi element i marrëveshjes por duhet të jetë në qendër. Do të ketë edhe elemente të tjera, por të cilat nuk mund të kenë kuptim pa këtë qendër që është njohja reciproke”, ka thënë Kurti në një konferencë për media pasditen e së enjtes.

Ai ka bërë të ditur se në takimin me Vuçiqin është theksuar barazia e palëve dhe është diskutuar mbi takimin e radhës në Bruksel, i cili do mbahet ndërmjet kryenegociatorëve të dyja shteteve.

Arritjen e disa marrëveshjeve gjatë takimit të 13 majit kanë thënë se e presin Kurti dhe ministrja gjermane e Mbrojtjes, Christine Lambrecht, e cila të enjten ka qëndruar për vizitë në Kosovë.

“Më 13 maj shpresoj se përfundimisht do t’i kemi marrëveshjet edhe për zgjidhjen reciproke për targat e automjeteve, çështjes së mos-pagesës së energjisë në veri të Kosovës dhe po ashtu nevojës për përshpejtim të çështjes së zbardhjes së fatit të pagjeturve”, ka thënë Kurti.

Optimiste për marrëveshje është shprehur edhe Lambrechti, e cila ka theksuar se ujdia do të përbënte një sinjal të mirë për procesin e dialogut.

“Shpresoj që të ketë një dinamikë të re dhe shpresoj që të ketë vendime të mira më 13 maj në Bruksel. Hapat e parë do të mund të ishin vendimet për njohjen reciproke të dokumenteve dhe ky do të ishte një sinjal i mirë”, ka bërë të ditur ministrja gjermane.

Ajo gjatë një konference për gazetarë, të mbajtur bashkë me Kurtin, ka premtuar përkrahjen e Gjermanisë për shtegun e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO dhe në BE.

“Gjermania e mbështet shumë qartë si rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në BE ashtu edhe ne NATO. Mirëpo, kjo rrugë duhet të ecet dhe mund të ketë edhe pengesa, mirëpo ne e mbështesim Kosovën në këtë rrugë”, ka thënë Lambrecht.

Takimi në Berlin ishte i pari i mbajtur midis Kurtit dhe Vuçiqit që nga korriku i shkuar dhe është zhvilluar në kuadër të një darke joformale të ndërmjetësuar nga emisari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, nën iniciativën e kancelarit gjerman, Olaf Scholz.