Brikena Berisha, menaxhere e projekteve të organizatës IKS, ka folur për dinjitetin dhe sigurinë e punëtorëve kosovarë.
Ajo ka thënë se një nga hulumtimet që kanë bërë është edhe për zbatimin e ligjit të punës te bizneset.
Berisha ka thënë se shumë punëdhënës zgjedhin të punësojnë punëtorë e të mos e formalizojnë fare marrëdhënien kontraktuale duke iu ikur edhe obligimeve.
“Përveç që nuk lidhin kontratë fare, por edhe nëse lidhin, lidhin kontrata afatshkurta, kontratë të shërbimeve, dhe punëtorët pranojnë që të lidhin një kontratë të tillë edhe për shkak të papunësisë së madhe. Ambienti socio-ekonomik ka bërë që përveç vetëdijesimit të ulët të punëtorëve, edhe vështirësia për jetesë të pranojnë kushte të tilla”, ka thënë ajo.
Ajo ka thënë se Inspektorati përveç problemeve tjera ka edhe mungesë të stafit.
Sipas saj inspektimet janë shumë të mangëta.
Berisha ka thënë se problemi i tregut të punës ka hendek në mes të sektorit privat dhe publik.
“Ankesat vijnë edhe nga sektori publik edhe ai privat. Por ka shumë më shumë ankesa nga sektori publik. Te sektori privat shtresohen probleme tjera shoqërore. Në sektorin publik, në momentin që punësohesh, mbrohesh nga sindikata. Në sektorin privat është edhe rreziku për humbjen e vendit të punës, gjë që bën që punëtorët të mos anëtarësohen në sindikata”, ka thënë ai.
Ajo ka thënë se sektori publik është shumë më tërheqës për të rinjtë.
Berisha ka thënë se në një hulumtim, 30 për qind e grave të anketuara kanë thënë se janë ngacmuar seksualisht në vendin e punës.
Sipas saj, një përqindje e madhe ka thënë se në sektorin privat janë pranuar duke e njohur paraprakisht dikë në vendin e punës.
“Kosova është një treg që përballet shumë me humbje të jetës në vendin e punës. Përveç kësaj ne kemi edhe aksidente të shumta në vend të punës, lëndime, sëmundjet nga profesionet, dhe këto nuk trajtohen asnjëherë”, ka thënë ajo.