Përfaqësuesit e opozitës nuk po marrin pjesë në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit që ka nisur të mbahet të enjten.
Në këtë mbledhje janë paraparë 8 pika të rendit të ditës. Në rend të ditës janë pikat e papërfunduara nga disa seanca plenare si dhe përgatitjet për seancë plenare të re të radhës.
Në këtë mbledhje është shqyrtuar edhe kërkesa e nënshkruar nga 41 deputetë të Vetëvendosjes për formimin e komisionit hetimor për vendimmarrje në sektorin e energjisë. Me kërkesë të shefes së këtij grupi të VV-së, është shtyrë për një seancë tjetër, derisa të arrihet një dakordim me partitë opozitare.
Opozita po vazhdon t’i bojkotojë punët e Kuvendit për shkak të bllokimit për themelimin e komisionit hetimor për energjinë, të iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK).
Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë pas mbledhjes se është vendosur që seanca e re të mbahet më 5 maj, në ora 10:00.