Projektligji që mundëson tërheqjen e deri 30 për qind të kursimeve pensionale tani është në duart e deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Por nuk përkrahet nga Qeveria.
Në një njoftim në Facebook, iniciuesi i projektligjit, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka ftuar të gjithë deputetët pa dallim partie që ta mbështesin këtë kërkesë të qytetarëve.
“Besoj se deputetët do të dëgjojnë zërin e qytetarëve dhe me integritet do të mbështesin këtë Projektligj që është kërkesë e qytetarëve”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Tërheqja e Trustit ka gjetur mbështetjen e partive opozitare. PDK-ja, LDK-ja dhe AAK-ja janë pro tërheqjes së re nga Trusti, ndërkohë pushteti e konsideron të dëmshme për ekonominë.
Qeveria më 21 prill kishte dalë kundër tërheqjes së mjeteve nga Trusti, pasi sipas saj, nuk i ndihmon kategoritë në nevojë.
“Edhe vet përqindja e fondit personal të tyre është e ulët”, ishte thënë nga Qeveria.
Ministri i Financave, Hekuran Murati, konfirmoi të martën se janë kundër një tërheqjeje të re nga Trusti. Sipas tij, kjo do ta rriste më shumë inflacionin dhe do të pësonin familjet e varfra.
Në dhjetor të vitit 2020, Qeveria Hoti ua kishte mundësuar qytetarëve t’i tërheqin 10 për qind të kursimeve të tyre. VV-ja atëkohë në opozitë nuk e kishte përkrahur vendimin, e as tash në pushtet nuk po e përkrah kërkesën e opozitës për tërheqje të sërishme.
Megjithatë, Haxhiu i PDK-së kishte deklaruar ditë më herët se edhe disa deputetë të VV-së i kanë thënë që do ta votojnë tërheqjen e Trustit, duke besuar se do t’i sigurojnë votat e mjaftueshme për ta miratuar këtë Projektligj.