Prokuroria Themelore në Ferizaj ka njoftuar se është ndërprerë marrja në pyetje e të pandehurit Arben Çitaku, ish-sekretar në Ministrinë e Ambientit, i cili dyshohet për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës zyrtare apo autoritetit zyrtar” dhe “Marrja e ryshfetit”, pasi gjatë dhënies së deklaratës nga Çitaku në vend të tij është përgjigjur avokati i të pandehurit, Besnik Berisha.
Siç bëhet e ditur, gjatë marrjes në pyetje, pavarësisht tërheqjes së vërejtjes së vazhdueshme nga ana e prokurorit të çështjes ndaj avokatit mbrojtës që të mos përgjigjet në pyetjet e parashtruara, nuk është marrë parasysh, gjë që ka çuar deri në ndërprerjen e marrjes në pyetje.
Prokuroria ka thënë se avokatit Berisha i është thënë se mund të konsultohet me klientin, por jo të përgjigjet në vend të tij.
“Po ashtu, vlen të theksohet se lidhur me këtë rast edhe seanca e dhënies së deklaratës që ishte caktuar të mbahej me datën 14 Shkurt 2022, ndaj të pandehurit Arben Çitaku, nuk është mbajtur, pasi që në Prokurori, nuk janë paraqitur mbrojtësit e të pandehurit avokati Halit Shaljani dhe avokati Besnik Berisha”, thuhet tutje në njoftim.
Prokuroria ka bërë të ditur se do të ketë njoftim për seancën e radhës.
E vet avokati Berisha ka reaguar nëpërmjet një postimi në Facebook.
“Hajde ‘shtet’ hajde, sa efikas janë në komunikata për me mbulu marren dhe padijeninë e tyre, pa i pyetur askush!! Athua pse?!! Unë dhe klienti im kemi përgjigje për këtë dhe ajo është fare e thjeshtë: Prokurori sot u gozhdua me prova e argumente sa që nuk arriti ta perballojë dot procedimin e mëtutjeshëm të intervistës, sepse e konfirmoi se ai ka privuar nga liria kundërligjshëm, z. Arben Çitaku. Sot atij i doli sheshit se arrestimi i z. Çitaku është bërë bazuar në prova të falsifikuara, dëshmi të pasakta dhe në mungesë të njohurisë së tij për ligjin dhe aktet nënligjore që mbulojnë fushëveprimtarinë e ish-sekretarit te MMPH-se. Sot, në vend që të kërkonte falje për padijeninë dhe dëmin e shkaktuar z. Çitakut, prokurori vazhdoi me tentativën për t'ia mohuar të drejtën e z. Çitaku për një akses efektiv në mbrojtje dhe për pasojë, cenoi rëndë ligjin dhe kodin e etikës për prokuror. Natyrisht se frika që ai do mund të përballej me ligjin është e vetmja arsye pse Prokuroria lëshoi komunikatë për këtë rast, veprim ky që s'ka ndodhë kurrë më parë”, ka shkruar Berisha në Facebook. “Sikur Prokuroria të kishte prova fajësuese, jo vetëm se nuk do i bënte përshtypje se çka deklaron i pandehuri apo avokati i tij, por do procedonte pa vonesë me intervistimin e tij. Mos lëshoni komunikata por zbatoni ligjin! Nuk shantazhohemi”.
Ish-sekretari i Ministrisë së Ambinetit, Arben Çitaku është arrestuar nën dyshimin për keqpërdorim detyre dhe marrje ryshfeti, pas një aksioni të Prokurorisë Themelore të Ferizajt më 6 janar të këtij viti.
Çitaku ka punuar në Ministrinë e Ambientit që nga viti 2009.