Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Andin Hoti, ka bërë të ditur se këto ditë në Serbi do të fillojnë gërmimet në një lokacion të dyshuar për varrezë masive. Ai ka deklaruar që kërkesë urgjente e Kosovës mbesin imazhet satelitore përmes së cilave do të arrihej më lehtë zbardhja e fatit të personave të zhdukur.
Hoti ka thënë se përmes Kryqit të Kuq Ndërkombëtar kanë bërë kërkesa për imazhet satelitore te vendet partnere të Kosovës, por sipas tij, ende nuk kanë marrë ndonjë përgjigje.
“Këto ditë delegacioni i Kosovës, në Serbi do të fillojë gërmimet edhe në një lokacion të radhës. Por natyrisht ne kemi pritur dhe vazhdojmë me urgjencë t’i kërkojmë imazhet satelitore, sepse ne kemi pasur disa informacione për lokacione të ndryshme në Serbi, por jo të mjaftueshme. Bazuar në praktikat e mëhershme, në Rudnicë e Kizhevak, janë bërë dhjetë vjet gërmim, dhjetë vjet hulumtim nga ekipet tona. Nuk duhet që e njëjta të ndodhë edhe sot, nuk mundemi të shkojmë pesë vjet me një lokacion për shkak se dikujt i teket me na sillë rrotull, duke mos na treguar informacionin e saktë të varrezave masive”, ka thënë Hoti.
Ai ka deklaruar se lokacioni në të cilin do të gërmohet në Serbi do ta bëhet i ditur së shpejti.
Hoti ka thënë se shteti vazhdon të kërkojë dokumente e incizime, sekrete apo publike, të cilat sipas tij i ka Serbia.
Hoti ka deklaruar që kërkesë mbetet hapja e të gjitha dokumenteve sekrete të Serbisë të kohës së luftës në Kosovë.
Drejtuesi i Qendrës Burimore për Personat e Zhdukur, Bajram Qerkini, i cili përfaqëson familjet e të pagjeturve, ka thënë se në Bruksel ende nuk është bërë asnjë hap drejt zbardhjes së fatit të familjarëve të zhdukur.
Ai ka thënë se çështja e të pagjeturve është politizuar dhe nuk po shënohet përparim, andaj ka theksuar se kërkesa e tyre është që kjo të trajtohet si çështje humane.
“Nënat tona, baballarët, motrat, vajzat, djemtë janë duke prit plot që 23 vjet. Kush duhet me na tregu, a e ndjejnë vetën të obliguar ata që ua dhamë votat dhe na udhëheqin”, ka thënë ai.
Në Kosovë të mërkuren shënohet Dita e të Pagjeturve, derisa nuk dihet fati i më shumë se 1.600 personave të zhdukur me dhunë nga Serbia gjatë luftës në Kosovë. /ksp