Arbëri

MSH-ja bën thirrje për vaksinim: Pandemia nuk ka mbaruar

Descriptive Text

Ministria e Shëndetësisë (MSH) u ka bërë thirrje qytetarëve të martën që të vaksinohen kundër COVID-19.

Sipas MSH-së, nëse në Kosovë ka rënë ndjeshëm numri i rasteve ditore me koronavirus, në shumë vende të botës po regjistrohen raste të shumta.

“Kosova shënon këtyre ditëve numër të vogël të rasteve të reja të COVID-19 dhe për më tepër, prej disa javësh, fatmirësisht, nuk ka as raste të vdekjeve nga kjo sëmundje. Por, në vende të ndryshme të botës, këtyre ditëve janë regjistruar raste të shumta me COVID-19, sepse pandemia COVID-19 nuk ka mbaruar. Me qëllim të përforcimit të imunitetit dhe parandalimit të rasteve të reja dhe formave të rënda të sëmundjes, qytetarët këshillohen që vaksinohen, me dozën e parë ata që ende se kanë bërë këtë, kurse të tjerët me dozën e dytë dhe dozën e tretë të vaksinës kundër COVID-19”, thuhet në kërkesën e MSH-së.

Në Kosovë me rënien e rasteve ditore me COVID-19, ka rënë edhe numri i vaksinimeve. Brenda javës së fundit janë dhënë vetëm 841 vaksina.

Vaksinimi në Kosovë ka nisur më 29 mars të vitit 2020 dhe që nga ajo kohë janë administruar gjithsej 1.825.396 vaksina Pfizer dhe AstraZeneca.

Numri i të vaksinuarve me të dy dozat është 821.764, derisa me dozë të tretë dhe përforcuese është 101.202.

Të hënën në Kosovë janë regjistruar 8 raste pozitive me koronavirus, derisa numri i rasteve aktive është 428.