Drejtuesit e televizioneve lokale dhe regjionale në vend pretendojnë se politikat e disfavorshme i kanë shtyrë në krizë financiare. Ato po hasin në vështirësi për t’i paguar licencat vjetore, derisa vetëm dy nga 11 prej tyre janë në transmetim tokësor. Shumica dërrmuese e tyre janë vetëm në kabllor, ku renditen në fund të listës së kanaleve
Në fund të listës në rrjetet kabllore televizive janë renditur televizionet lokale dhe ato regjionale, teksa në ato tokësore shumica nuk transmetojnë fare, si pasojë e krizës financiare.
Mosrregullimi i kësaj çështjeje nga Komisioni i Pavarur për Media (KPM) e Qeveria, siç tregon Visar Hoti, drejtor i TV Tema dhe nënkryetar i Bordit të Asociacionit të Mediave të Pavarura Elektronike të Kosovës, e ka rënduar krizën në këto televizione.
“Është çështje shumë praktike. Shihni skemën e listave nëpër kabllorë dhe e shihni që mediat lokale dhe rajonale janë të futura në fund të listës. Të gjitha statistikat thonë që është shprehi e shikuesit që ta shikojë listën e parë, dhjetëshen a njëzetëshen e parë. Nuk shkon në fund të listës të shikosh çfarëdo programi që të bëjë prodhuesi. Çfarëdo programi të bëjë prodhuesi nëse është me numër 250 nuk shkon dikush ta shohë. Qasja e renditjes së kanaleve e ka dëmtuar shumë, në mënyrë sistematike, dhe asgjë s’është vepruar për ta korrigjuar. Sepse është interes publik”, ka deklaruar Hoti.
Gjatë takimeve të tij me KPM-në e Qeverinë, Hoti thotë se ka kërkuar edhe zbatimin e Ligjit për të Drejtat Autoriale, moszbatimi i të cilit, sipas tij, është po ashtu i dëmshëm për prodhues të përmbajtjes.
“Kemi kërkuar implementimin e Ligjit për të Drejtat Autoriale në mënyrë që mediat të paguhen për programin që e prodhojnë, pra t’u njihet autorëve e drejta e transmetimit pasi që industria kabllore po bën të hyra, po gjeneron të hyra prej programeve të tyre, atëherë është e natyrshme që të gjithë duhet të paguajnë”, shtoi ai.
Në KPM kanë thënë se rregullorja në fuqi parasheh bartjen e kanaleve nga operatorët kabllorë në komunat ku operojnë.
Në të parashihet vendi i renditjes për transmetuesit publikë e nacionalë, por jo edhe për televizionet lokale dhe regjionale.
“Sipas Rregullores KPM-2020/01, renditja e kanaleve bëhet nga Këshilli Programor i të Licencuarit, renditja bëhet në grupime duke marrë për bazë natyrën e përmbajtjes së kanaleve të shpërndara nga i licencuari. Sipas Rregullores KPM-2020/01, operatorët e shpërndarjes e kanë për obligim sipas nenit 11, që pas kanalit informues të vendosin transmetuesin publik, respektivisht dy kanalet e para. Ndërsa bartja e obligueshme, sipas nenit 9 është e përcaktuar për të gjitha, e ofruesve të shërbimeve mediale audiovizuele (OSHMA) që transmetojnë me frekuencë tokësore dhe bartja bëhet sipas shtrirjes së tyre territoriale”, thuhet në përgjigjen e Komisionit të Pavarur të Mediave.
E për mbështetjen financiare të tyre, KPM-ja ka thënë se e ka pasur të pamundur, pasi që nuk ka autonomi financiare.
Sipas legjislacionit në fuqi, të të hyrat e KPM-së shkojnë drejt në buxhetin e Republikës së Kosovës.
“KPM-ja qysh gjatë vitit 2020, pas vështirësive të krijuara nga pandemia, ia ka përcjellë dy kërkesa Ministrisë së Financave për lirimin nga pagesa e tarifës për licencë. Por përgjigjja ka qenë se kjo mund të bëhet vetëm me ndryshime ligjore, pra me amendamentimn e ligjit dhe jo me ndonjë vendim nga ana e Ministrisë/Qeverisë. Gjithsesi tarifa për licencë është obligim me ligj dhe KPM-ja është e obliguar ta zbatojë atë”, thuhet tutje në përgjigjen e KPM-së.
Derisa drejtuesit e televizioneve lokale frikësohen nga politikat e disfavorshme, ekspertët e fushës së mediave thonë se ato janë të rëndësishme për shëndetin e ambientit demokratik e pluralist.
“Janë me rëndësi, sepse shumë njerëz mbështeten te mediat lokale për lajme të ndryshme, shumë njerëz në botë i ndjekin transmetuesit nacionalë, por në shumë vende ata mbështeten te lajmet lokale. Kjo duhet të ofrohet. E ato luajnë një rol shumë, shumë të rëndësishëm. Nëse ia lë të gjithë përmbajtjen e lajmeve në mëshirën e transmetuesve nacionalë apo disa mediumeve të fuqishme që funksionojnë në qendër e shkatërron në masë të madhe ofrimin e diversitetit në ekosistemin e mediave”, është shprehur Marius Dragomir, drejtor i “Center for Media Data and Society”.
Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, ka thënë për KOHËN se projektligji për KPM-në është në agjendë legjislative dhe do të harmonizohet me direktivat e BE-së për punën e mediave.
Në Kosovë aktualisht operojnë pesë televizione lokale dhe 11 regjionale. Me rregullat që janë në fuqi, atyre do t’u duhet t’i paguajnë licencat nga 560 euro deri në 1050 euro, deri në fund të qershorit 2022.