Mbërrin gazetarja e parë ukrainase në Kosovë

Ka mbërritur në Kosovë të dielën gazetarja e parë ukrainase, Lyudmila Makey, ka bërë të ditur të dielën Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK). Me të u takuan edhe kryeministri Albin Kurti, ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
“Pata kënaqësinë t’i uroj mirëseardhje në vendin tonë, znj. Lyudmila Makey, gazetare nga Ukraina. Ajo është gazetarja e parë ukrainase që ka arritur në Kosovë, pasi është detyruar të largohet nga Ukraina pas invazionit rus. Solidariteti ynë me popullin e Ukrainës dhe luftën çlirimtare kundër agresionit ushtarak rus janë të padiskutueshme”, shkroi Kurti në Facebook, derisa tha se do të kujdeset që Makey me kolegët të kenë kushte të përshtatshme për punë dhe jetesë.
