Përkundër që Gjykata Themelore ka vendosur për pezullimin e tarifave të reja të energjisë elektrike, Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) ende nuk ka pezulluar vendimin për shtrenjtimin e rrymës.
ZRRE-ja ka paralajmëruar ta dërgojë në Apel vendimin e gjykatës, dhe të vazhdojë aplikimin e shtrenjtimit të energjisë elektrike, ashtu sikur që është bërë prej 9 shkurtit e këndej.
Në Institutin e Kosovës për Drejtësi, kanë thënë se ZRRE-ja është e obliguar t’i pezullojë tarifat e reja, në të kundërtën sipas tyre, përbën vepër penale.
Yll Zekaj, menaxher i programit në Institutin e Kosovës për Drejtësi(IKD) thotë për KosovaPress, se ZRRE-ja nuk mund të inkasojë më tarifat e reja për kohën e ardhshme deri në një vendim meritor.
“Varet prej veprimeve të tyre, por çdo veprim në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, është edhe vepër penale. Kështu që nuk e besoj që ZRRE-ja do të hyjë në domenin penal, duke pasur parasysh që sfera penale kalon te personi juridik përveç personave fizik që bien ndesh me ligjin, bien edhe personat juridikë, kështu që çdo mosrespektim i vendimit të gjykatës është vepër penale. Nuk e besoj që do të hynë ne sferën penale ZRRE-ja, besoj që do ta respektojë vendin e gjykatës, pasi secili person fizik dhe juridik obligohet që të zbatojë vendimin e gjykatës. Me këtë rast edhe ZRRE-ja, ka mjetin juridik që është ankesa për të ankimuar këtë masë dhe pastaj është gjykata e shkallës së dytë përkatësisht Gjykata e Apelit me një vendim meritor në lidhje me masën derisa të trajtohet padia dhe forma meritore e vendimmarrjes për vendimin e ZRRE-së se i njëjti ka qenë i ligjshëm apo jo”, thekson ai.
Në një përgjigje për KosovaPress, drejtues të ZRRE-së theksojnë se ankimi i bërë brenda afatit të përcaktuar me ligj pengon që aktgjykimi i gjykatës të bëhet i formës së prerë dhe nuk është i ekzekutueshëm.
“Më lejoni t’iu informoj se ZRRE-ja, mbështetur në dispozitat ligjore të nenit 23 par. 2 Nenin 49 par. 1 dhe 2 lidhur me Nenin 63 të LKA-së, lidhur me Nenin 176 të Ligjit për Procedurën Kontestimore (Ligjin Nr. 03/L - 006) do të parashtrojë ankesë brenda afatit ligjor pranë Gjykatës së Apelit. Për informimin tuaj sipas Nenit 176 par. 2 të LPK-së, definohet se: Ankimi i bërë brenda afatit të përcaktuar me ligj pengon që aktgjykimi të bëhet i formës së prerë në pjesën e goditur me ankim. Përderisa kjo çështje pas ankesës së ZRRE-së, do të shqyrtohet nga Gjykata e Apelit, aktvendimi i shkallës së parë nuk bëhet i formës së prerë dhe praktikisht nuk është i plotfuqishëm dhe i ekzekutueshëm. Kjo është e definuar me Nenin 66 të Ligjit për Konfliktet Administrative ku përcaktohet se : “Vendimet e gjykatës mund të ekzekutohet atëherë kur bëhen të plotfuqishme dhe të ekzekutueshme”, thotë në një përgjigje me shkrim drejtori menaxhues në ZRrE, Petrit Pepaj.
Yll Zekaj nga IKD, thotë se vendimi i ZRRE-së i miratuar më 8 shkurt nuk prodhon efekt juridik, derisa ekziston masa në fuqi.
“Me vendimin të cilin e ka marrë ZRRE-ja për ngritjen e tarifave, me këtë vendim është parashtruar masa e përkohshme, e cila I ka paraprirë një padie eventuale. Me këtë rast gjyqtari ka marrë vendim për caktimin e masës. Masa është aprovuar dhe si rezultat i kësaj më nuk kemi efekt juridik të vendimit të ZRRE-së. Vendimi i ZRRE-së nuk prodhon efekt juridik derisa ekziston masa në fuqi. Kështu masa e bllokon tarifimin e ri të ZRRE-së dhe ZRRE obligohet me këtë masë që të kthehet në gjendjen para vendimit derisa gjykata nuk vendos në mënyrë meritore nëse vendimi i ZRRE-së ka qenë i ligjshëm apo i kundërligjshëm. Masa nuk e paragjykon vendimin, vendimi mund të jetë edhe i ligjshëm, por tanimë kemi një masë të përkohshme, i cili nuk e lenë në funksion vendimin deri në vendosjen meritore”, thotë Zekaj.
Ai shtoi se ZRRE-ja e ka të drejtën e ankimimit në Apel, por kjo ankesë sipas tij, nuk e ndalon ekzekutimin e masës.