Cilësia e dobët e teksteve shkollore u ka shkaktuar një sërë problemesh mësimdhënësve të arsimit parauniversitar. Përveç cilësisë, tekstet nuk kanë qenë në harmoni me kurrikulën mësimore. Ministria e Arsimit ka nisur vlerësimin e teksteve të reja shkollore, e përkundër kësaj edhe në librat e rinj janë hasur një sërë gabimesh. Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, ka thënë se janë duke u munduar që përmes kontrollit të dyfishtë të recensentëve t’i eliminojnë këto gabime, por ka theksuar se gabimet në tekstet shkollore nuk mund të evitohen 100 për qind
Në vitin e ri shkollor, mësimdhënësit e klasave të katërta dhe të nënta do të mbajnë procesin mësimor me tekste të reja.
Mësimdhënësit e këtyre klasave punojnë me libra që nuk kanë qenë në harmoni me kurrikulën mësimore, as pas miratimit të planprogramit të ri në vitin 2017.
Mësimdhënësit në shkollën fillore “Qamil Batalli” në Prishtinë kanë thënë se përpos gabimeve drejtshkrimore, ata u përballën edhe me gabime përmbajtjesore.
Mësimdhënësja për klasën e katërt, Valdrinë Nekoviq, ka thënë se cilësia e dobët e teksteve e detyroi atë të përdorë burime të tjera, për t’ua lehtësuar mësimnxënien nxënësve.
“Prej teksteve të vjetra kemi hasur mjaft sfida gjatë realizimit të planprogramit, duke e ditur që tekstet e vjetra janë si rezultat i planprogramit të vjetër, ndërsa tani me kurrikulën e re nuk janë në harmoni të plotë ose në përputhje dhe shpesh hasim vështirësi në realizimin e planprogramit. Këtu mund të them që për këtë ka edhe gabime drejtshkrimore, përmbajtjesore edhe teknike”, ka thënë ajo.
Përveç kësaj, sipas saj, ka edhe njësi të cilat janë vështirë të realizueshme sepse nuk përkasin me moshën.
“Edhe kjo është ajo që hasim, domethënë ne shumë herë duhet të përdorim burime të tjera që t’ua thjeshtësojmë nxënësve punën dhe t'ua lehtësojmë mësimnxënien”, ka thënë ajo.
Ndërkaq, mësimdhënësja e lëndës së fizikës në shkollën “Qamil Batalli”, Lirije Gegaj-Krasniqi, ka thënë se në të shumtën e rasteve nuk përdor fare librin e klasës së nëntë për shkak të mungesës së përmbajtjes.
“Mirë sa i përket klasës së nëntë, librin që e kemi pasur në librin e vjetër atëherë nuk kemi mundur ta përdorim për shkak se nuk përshtaten rezultatet të cilat i kemi tash me kurrikulën e re dhe me librin e vjetër. Unë shumicën e rasteve nuk e kam përdorur librin, për shkak se nuk përshtatej me planprogramin. Ka qenë sfiduese edhe për nxënësit se kanë pasur probleme për shkak të përmbajtjes jocilësore”, ka thënë Gegaj-Krasniqi.
Për të plotësuar ciklin e teksteve të reja shkollore, Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit ka mbetur të bëjë vetëm vlerësimin edhe për klasën e pestë. Në vitin shkollor 2019/20, nxënësit e klasës së parë, të dytës, gjashtës, shtatës, dhjetës dhe të njëmbëdhjetës, patën nisur procesin mësimor me librat e rinj. Ndërkaq, në vitet 2020/21 u futën në përdorim librat për klasën e tretë, të tetën dhe dymbëdhjetën. Mirëpo, edhe në vlerësimin e librave të rinj janë hasur një sërë gabimesh.
KOHA kishte raportuar se libri i ri i matematikës së klasës së tretë ishte përplot me gabime përmbajtjesore. Ky libër u vlerësua me 3.01 pikë nga 4 pikë maksimale, nga recensentët e angazhuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit.
Se gabimet ekzistojnë edhe në librat e rinj, e pranoi edhe zëvendësministri i MASHTI-t, Dukagjin Pupovci. Përkundër kësaj, ai ka thënë se do të vazhdojnë me metodologjinë e njëjtë për kontrollin e recensioneve. Procesi për vlerësimin e recensioneve bëhet me kontrolle të dyfishta.
“Ne kemi standarde për tekste shkollore dhe si vitin e kaluar ashtu edhe këtë vit janë angazhuar ekipet e recensentëve, të cilët kanë aplikuar për të marrë një rol të tillë dhe nga këto ekipe të recensentëve është kërkuar që të jenë krejtësisht në përputhje me standardet, është plotësisht e vërtetë edhe pas vlerësimeve nga ana e recensentëve ka pasur vërejtje si nga autorët, ashtu edhe nga publiku për cilësinë e teksteve shkollore. Këto janë lëshime të cilat kanë ndodhur vitin e kaluar përkundër faktit që pas kontrollit nga recensentët ka qenë edhe një ekip tjetër i cili i ka kontrolluar recensionet, thjesht ka qenë një kontroll i dyfishtë, përsëri do të ndiqet një metodologji e tillë me shpresën se këtë vit do të jenë më të kujdesshëm”, ka thënë Pupovci, i cili ka shtuar se eliminimi 100 për qind i gabimeve në tekste është i pamundur.
Për të ngritur cilësinë në tekstet shkollore, njohësi i çështjeve të arsimit, Rinor Qehaja, ka thënë se nevojitet një program për ngritjen e kapaciteteve për autorë të librave.
“Domosdoshmërisht do të bjerë që të vlerësohet me ligjin e ri, çka na sjell ligji i ri për tekste shkollore, është një sistem i ri i vlerësimit. Ajo çka ne në vazhdimësi kemi avokuar është një program i ngritjes së kapaciteteve për recensentë, recensentë publikë, një program për ngritjen e kapaciteteve për autorë dhe proceseve, një strukturë të re të vetëvlerësimit të teksteve shkollore”, ka thënë drejtori i institutit “EdGuard”, i cili ka theksuar se vëmendja duhet të kthehet tek autorët dhe recensentët që produkti final të jetë cilësor.
Një Projektligj, që synon të ngritë cilësinë në tekstet shkollore, ende nuk është dërguar për miratim në Qeveri, edhe pse ishte premtuar që do të dërgohej në fund të vitit 2021. Pupovci ka thënë se Projektligji për botimin e teksteve shkollore, mjeteve mësimore, lektyrës shkollore dhe dokumentacionit pedagogjik është në fazën e fundit të draftimit.
“Në këtë projektligj i kushtohet rëndësi e veçantë kredibilitetit të vlerësimit, janë bërë përpjekjet që në atë mënyrë që të rezultojë me një vlerësim kredibil të teksteve shkollore, sepse ministria nuk shkruan, por i vlerëson ato, domethënë puna jonë shihet te vlerësimi i teksteve dhe pastaj duhet të shkojë në diskutim publik, besoj që pas diskutimit publik do të shohim se çfarë vërejtje kemi nga opinioni”, ka thënë ai. Nuk ka treguar nëse do të jetë i gatshëm të dërgohet në Qeveri, ashtu siç është e paraparë në Programin Legjislativ për vitin 2022.