Ulja e numrit të pacientëve kosovarë që dërgohen për trajtim jashtë vendit ka qenë një nga zotimet e kësaj qeverie. Deri tash, nuk ka ndonjë nismë konkrete për këtë çështje. Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, brenda një muaji ka takuar dy herë përfaqësuesit e një kompanie që dërgon pacientët kosovarë për trajtim në Turqi. Kjo kompani e ka aktive zyrën e saj në Kosovë, por nuk figuron si e regjistruar në ARBK
Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi, i shoqëruar nga zëvendësja e tij, Dafina Gexha, muajin e kaluar kanë vizituar Turqinë. Në mesin e personave që kanë takuar zyrtarët e Ministrisë është edhe menaxheri i kompanisë “ Romoy Intenational Healthacare”, veprimtaria e të cilit është “turizmi shëndetësor”. Kompania ka selinë edhe në Kosovë, nga ku ndërmjetëson dërgimin e pacientëve për trajtim të mëtutjeshëm në Turqi.
Latifi nuk e ka bërë publik këtë takim, por menaxheri i kësaj kompanie, Mustafa Akcay, ka shkruar në profilin e tij në Facebook se drejtuesit e MSH-së kanë biseduar për vazhdimin e bashkëpunimit.
“Takimi ynë vlerësues për çështjet e zhvillimit të shëndetësisë ndërmjet dy vendeve u mbajt me ministrin e Shëndetësisë së Kosovës, prof. dr. Rifat Latifi dhe delegacionin e shëndetësisë.
U diskutuan në detaje të gjitha çështjet shëndetësore të së ardhmes së afërt mes dy vendeve. Siç kemi qenë me vite të tëra, do të vazhdojmë të rrisim bashkëpunimin tonë ekzistues në shëndetësi me Qeverinë e re të Kosovës”, thuhet në këtë postim.
Pa u bërë një muaj nga ky takim, Latifi ka pritur në zyre të paktën dy punëtorë të degës në Kosovë. Kjo konfirmohet nga fotografitë e punëtorëve të kësaj kompanie.
“Romoy Kosovo” ndodhet me zyre në oborrin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Pak metra prej shkallëve të këtij institucioni është e vendosur selia e kompanisë. Në derën e hyrjes thuhet që punojnë prej orës 08:00 deri 16:00. Një përfaqësuese e “Romoy Kosovo” ka pranuar të flasë për KOHËN”, por mbrapa kamerës. Ajo ka thënë se është vetëm punëtore dhe se nuk mund të përgjigjet nëse janë ose jo të regjistruar.
Se kjo kompani nuk është e licencuar për asnjë shërbim e kanë konfirmuar në Ministrinë e Shëndetësisë. Ajo nuk është e regjistruar as në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve të Kosovës (ARBK).
“Në regjistrin e ARBK-së nuk figuron asnjë biznes i regjistruar me emërtimin “Romoy Kosovo”, ka thënë ky institucion.
Zyra për Informim e Ministrisë së Shëndetësisë nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim ka dhënë sqarimet e saj për këto takime. Për takimin me menaxherin kryesor të kompanisë rekrutuese, në përgjigje të MSH-së thuhet se takimi ka ndodhur në shoqatën më të vjetër të shqiptarëve në Izmir dhe se nuk qëndron ajo çfarë ka thënë Akçay për vizitën.
“Personit të cilit i referoheni ka qenë pjesëmarrës në takimin që ministri dhe delegacioni i tij, e kanë pasur gjatë vizitës në shoqatën më të vjetër shqiptare në Izmir. Por kjo nuk nënkupton në asnjë mënyrë që janë diskutuar pikat të cilat i keni përmendur, qoftë edhe nëse janë prezantuar në faqet e tyre, ku ata shprehen për pikëpamjet e tyre për vizitën”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim.
Për takimin në zyrat e MSH-së, ky institucion ka thënë se të dy zyrtarët e “Romoy Kosovo” ishin në cilësinë e përkthyesve.
“Sa i përket aludimit tuaj, ju informojmë se në delegacionin nga qyteti i Izmirit, të përfaqësuar nga bashkatdhetari Rifat Sali, ka pasur persona që kanë përkthyer për ata që nuk e kanë zotëruar gjuhën shqipe, por kjo nuk do të thotë se takimi është mbajtur për t’i krijuar ndonjë favor apo interes dikujt tjetër. Pa paragjykuar askënd, MSH-ja siguron se nuk mund të realizojë askush interesa të jashtëligjshme pavarësisht nëse merr pjesë në ndonjë takim në MSH, qoftë edhe me ministrin dhe në çfarëdo cilësie”, thuhet në përgjigjen e këtij institucioni.
Version të ngjashëm të enjten kanë dhënë edhe kompania “Romoy Kosovo”, përmes një përgjigje me shkrim. Por nuk kanë treguar nëse janë të regjistruar në Kosovë.
“Në takimet zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë të Republikës së Kosovës në Izmir të Turqisë, ne si kompani kemi qenë vetëm si mysafirë dhe u jemi bashkangjitur takimeve që janë miratuar. Duam të cekim edhe takimin e fundit në Kosovë në Ministrinë e Shëndetësisë të Kosovës, që është organizuar nga z.Rifat Sait dhe nuk ka lidhje në asnjë mënyrë me kompaninë shëndetësore Romoy”, kanë thënë nga kjo agjenci.
Çështja e mbulimit të shërbimeve shëndetësore jashtë vendit për patologjitë që nuk trajtohen në Kosovë, cilësohet një nga çështjet më problematike të shëndetësisë publike.
Për trajtime që nuk kryhen në institucione shtetërore, në Kosovë ekziston Programi i Trajtimit Jashtë Vendit ose Jashtë Institucioneve Shëndetësore Publike, i cili funksionon në kuadër të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore (FSSH), që është funksionalizuar në vitin 2018, katër vjet pas miratimit të Ligjit për sigurimin shëndetësor.
Atyre që u aprovohet qasja në këtë fond u kompensohen 70% të mjeteve të nevojshme për trajtim. Për rastet që konsiderohen emergjente procedurat përshpejtohen, ndërsa për të tjerat duhet një numër i konsiderueshëm dokumentesh për të aplikuar.