Katër ligje duhet të ndryshohen për t’i hapur rrugë ngritjes së pagës minimale në vend. Të mërkurën, Qeveria miratoi projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që përcaktojnë shumën e beneficionit në lartësi të pagës minimale, procedurat e caktimit të pagës minimale dhe shkallët tatimore.
Me këtë rast do të ndryshohen dhe plotësohen ligji për veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai për Personat e Verbër, ai për Statusin dhe të Drejtat e Personave Paraplegjikë dhe Tetraplegjikë dhe ai për Tatimin në të ardhurat personale.
“Përmes këtij Projektligji synohet që të eliminohen mëdyshjet ligjore rreth pagës minimale në nivel kombëtar, specifikisht rregullimin ligjor të lidhshmërisë së pagës minimale në nivelin e beneficioneve sociale sipas ligjeve të mësipërme”, thuhet në njoftimin e Qeverisë.
KOHA pati raportuar në fillim të marsit për draftin e ligjit. Pas ndryshimeve, këtyre kategorive s’u garantohet pension në lartësinë e pagës minimale, të cilën Qeveria synon ta ngritë në 250 euro neto, nga 170 sa është aktualisht.
Ministria e Financave pritet të vendosë për lartësinë e shumës së kompensimit për këto kategori.
Me legjislacionin në fuqi, rritja e pagës minimale rrit automatikisht edhe pensionet e veteranëve. Kjo pasi ndryshimet në Ligjin e veteranëve hyjnë në fuqi vetëm pasi të bëhet kategorizimi përfundimtar i veteranëve të luftës, e i cili nuk është bërë që nga viti 2017.
Kryeministri Albin Kurti në emisionin Desku në KTV në fund të marsit pati thënë se veteranët meritojnë më shumë se paga minimale, por pati theksuar se duhet të ketë pastrim të listave të tyre.