Arbëri

Lansohet platforma “Ambientalisti.info”

GLSP-ja lanson platformën “Ambientalisti.info”

Grupi për Studime Juridike dhe Politike ka lansuar të martën platformën “Ambientalisti.info”. Sipas GLSP-së kjo është bërë me qëllim të informimit dhe edukimit të duhur të qytetarëve për çështjet mjedisore.

GLPS-ja ka njoftuar se qëllim tjetër i kësaj platforme është të bëhet një qendër informative për çështjet që kanë të bëjnë me aspektet mjedisore në Kosovë.

Ema Pula nga GLPS-ja tha se dekadën e fundit, mbrojtja e mjedisit nuk është konsideruar si prioritet në Kosovë.

"Kosova tashmë ballafaqohet me qindra hidrocentrale, gurëthyes, objekte tjera ilegale, të cilat kanë degraduar rëndë mjedisin dhe kanë ndryshuar jetën e njerëzve që jetojnë pranë tyre. Po ashtu, Kushtetuta e Kosovës parasheh që përgjegjësia për mbrojtjen e mjedisit është e të gjithëve dhe që qytetarëve t'u garantohet përfshirja ne proceset vendimmarrëse që kanë të bëjnë me mjedisin ku jetojnë, ndërkohë që obligon institucionet publike që të angazhohen për garantimin e kësaj të drejte themelore", ka thënë ajo.

Ajo ka shtuar se krijimi i platformës është mbështetur nga “Programi i Shoqërisë Civile për Shqipërinë dhe Kosovën”, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme Norvegjeze dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim.

“Ambientalisti.info”, është i qasshëm në gjuhën shqipe dhe në gjuhën serbe.