Arbëri

SBASHK-u nuk tërhiqet nga kërcënimi me grevë

Në Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBASHK), kanë thënë se vendimi për nisjen e veprimeve sindikale nga punonjës të arsimit është i pashmangshëm. Sipas kryetarit të SBASHK-u, Rrahman Jasharaj, përkundër paralajmërimeve për grevë, nuk është pranuar asnjë ftesë për dialog nga ekzekutivi.

Në SBASHK kanë paralajmëruar se do të ndërmarrin veprime sindikaliste nga 20 prilli, nëse nuk përmbushet kërkesa e tyre për ndarjen e nga 100 euro shtesë në muaj për mësimdhënësit deri në miratimin e Ligjit të pagave.

Kryetari i kësaj sindikatë ka thënë se nuk do të bëhen kompromise me kërkesat e shprehura dhe ka paralajmëruar Qeverinë për pasoja në zgjedhjet e ardhshme.

“Tensionet në sistemin arsimor, por edhe në sektorë të tjerë, është duke i ngritur qasja e gabuar e Qeverisë Kurti, e deklaratave të ministrave, e deputetëve nga kjo parti, të cilat janë madje edhe me përmbajtje fyese ndaj sindikatave, madje edhe ndaj një udhëheqësi sindikal në Kosovë. Kjo nuk është e mirë dhe Qeveria Kurti duhet ta ndryshojë këtë qasje ndaj sindikatave, të ulet të bisedojë me to, sepse zgjedhjet janë të mundshme”, ka thënë Jasharaj.

“Kjo heshtje e Qeverisë edhe pas protestës së 8 prillit na shton (motivin v.j.) t’i themi sfidat dhe shqetësimet, ngase siç duket do të vije në shprehje vendimi i Kongresit që pas 20 prillit të fillojmë me veprime sindikale, duke mos i përjashtuar as grevat në tërë sektorin e arsimit që nga çerdhet e deri në universitet, e madje edhe në shumë institucione të kulturës që janë pjesë e SBASHK-ut”, ka paralajmëruar ai.

Ndërkaq, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se ekzekutivi është duke i marrë parasysh kërkesat e mësimdhënësve, dhe se kjo sindikatë do të ftohet në dëgjime publike pas finalizimit të draftit të Projektligjit për paga.

“Projektligji ndodhet në fazën përfundimtare të draftimit. Pas finalizimit të tij do hapim konsultimet publike ku do të jenë të ftuara të gjitha sindikatat, mediat dhe shoqëria civile. Ligji i kaluar por edhe korniza aktuale e sistemit të pagave ka shumë parregullsi të cilat kanë nevojë për trajtim të kujdesshëm dhe sistematik”, ka thënë Kryeziu. “Jemi duke punuar intensivisht n adresimin e të gjitha çështjeve. Synimi ynë është që ligji fillimisht dhe mbi të gjitha të jetë ligj i mirë i cili në mënyrë të drejtë bën rregullimin dhe nivelizimin e pagave në sektorin publik”.

E, kritika të shumta për qasjen e Qeverisë ka pasur Jasharaj. Të hënën përmes një letre publike, ai ka thënë se është ndje i fyer pas një postimi të Sekretar për media dhe komunikim të Lëvizjes Vetëvendosje, Arlind Manxhuka, që në ditën e protestës kishe nxjerr një foto me disa qen në rrugë me mbishkrimin “Protestë. Bllokadë”.

Ndërkaq, Manxhuka e ka mohuar ta ketë fyer atë. Ai ka thënë se postimi nuk ka të bëjë asgjë me Jasharajn dhe protestuesit.

“E rrugës do të ishte që para se të bëhej lajm të merrja një pyetje të tillë për idenë e fotografisë, tash po flasim post festum. E kam sqaruar atë postim, nuk ka asnjë lidhje me atë që kanë konstruktuar disa portale”, ka thënë Manxhuka. “Imagjinata e tyre ka fyer Rrahman Jasharajn dhe jo unë. Nuk jam përgjegjës për imagjinatën e askujt, e as të Rrahman Jasharajt. Kritikat dhe qëndrimet i them hapur dhe direkt, pa alegori”.

Në shoqërinë civile thonë se keqkuptimet mund të tejkalohen me komunikim me të hapur ndërmjet institucioneve dhe sindikatës.

Rinor Qehaja, njohës i çështjeve të arsimit, thotë se edhe greva e paralajmëruar mund të evitohet po pati komunikim.

“Ajo çka ne besojmë shumë, është që kjo situatë e tillë me këto kërcënime dhe paralajmërime për greva do të mund të tejkalohet së shpejti me një komunikim më të hapur mes Qeverisë dhe sindikatave. Në fund të ditës kërkesat e SBASHK-ut janë legjitime. Në asnjë moment nuk është legjitim dhe i arsyeshëm kërcënimi për grevë me ndërprerje të procesit mësimor, mirëpo të gjitha këto nga praktikat e mëparshme na janë dëshmuar që mund të tejkalohen me një komunikim më të hapur mes të dyja palëve”, ka thënë Qehaja.

Sindikatat e punëtorëve në Kosovë protestuan të premten para qeverisë me kërkesat për miratimin e Ligjit për pagat, zbatimin e sigurimeve shëndetësore dhe ndryshimin e ligjit për skemat pensionale.

Në muajin shkurt të vitit 2019, Kuvendi e kishte miratuar ligjin për pagat, por i cili më pas ishte shpallur jokushtetues nga Gjykata Kushtetuese.