Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ka reaguar në lidhje me kërcënimin e ish-raportuesit në Këshillin e Evropës, Dick Marty, nga inteligjenca serbe dhe më pas të diskreditohet Kosova.
Pacolli ka thënë se është koha që Marty të tregojë se si e ka krijuar raportin e tij ku implikonte anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në vrasjen e të burgosurve serbë dhe shqiptarë të Kosovës, si dhe shitjen e organeve të tyre. Mes të akuzuarve është edhe ish-presidenti I Kosovës, Hashim Thaçi.
“Nëse është e vërtetë se Dick Marty po kërcënohet nga inteligjenca serbe, është koha e duhur që ai të tregojë se si e krijoi narrativën e tij të famshme të organeve, për çka z. Hashim Thaçi sot është në paraburgim në Hagë”, ka shkruar Pacolli në Facebook.
Bazuar në artikullin e publikuar të premten nga televizioni publik zviceran, KOHA ka raportuar të shtunën se për rreth 16 muaj, Marty është duke u mbrojtur nga policia zvicerane pasi që ka marrë kërcënime nga elementë radikalë të shërbimit inteligjent serb.
Dyshohet se plani ka qenë që Marty të vritet nga vrasës profesionistë të angazhuar prej shërbimit serb, e që më pas të diskreditohet Kosova.