Dhënia e dyshtetësisë për qytetarët dhe projekti i hekurudhës Prishtinë-Durrës kanë qenë dy temat që kanë bërë bashkë të martën në Tiranë, kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, dhe kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ish-kryeministrin Ramush Haradinaj.
Nëpërmjet një postimi në Facebook, Haradinaj ka njoftuar se ka falënderuar Ramën për ndihmën e Shqipërisë gjatë krizës energjetike në Kosovë, teksa njoftoi se kanë diskutuar për bashkëpunimin mes Kosovës dhe Shqipërisë në ekonomi, infrastrukturë, siguri e politikë të jashtme.
“Falënderova Kryeministrin Rama për ndihmën e shtetit shqiptar gjatë krizës energjetike në Kosovë dhe shpreha nevojën e gjetjes së mënyrave të bashkëpunimit të ngushtë mes dy vendeve në këtë kohë aspak normale”, ka shtuar ai.
Ndërkaq nga Partia Socialiste në Shqipëri, Taulant Balla, pas takimit ka thënë se është diskutuar edhe për procesin e anëtarësimit të Kosovës në NATO.
“Po bëhet studimi i fizibilitetit. Sa më pranë dhe sa më i fortë bashkëpunimi mes Shqipërisë dhe Kosovës aq më mirë bëjmë edhe ne detyrën tonë në funksionet respektive”, ka deklaruar Balla.
Derisa Haradinaj ishte kryeministër i Kosovës dhe ishte homolog i Ramës, dy liderët i kishin acaruar marrëdhëniet e tyre, për çka Rama kishte ngritur padi ndaj Haradinajt për shpifje, por muaj më vonë qe tërhequr nga padia.