Arbëri

Zogaj: Alergjitë mund të shndërrohen në astmë kronike nëse s’trajtohen

Të dhënat nga vende të ndryshme evropiane tregojnë se alergjitë sezonale mund të përfundojnë në shumë raste me astmë kronike, ka thënë të martën në emisionin “Sot” të KTV-së, Dukagjin Zogaj, drejtor i Klinikës së Alergologjisë në QKUK.

Në Ditën ndërkombëtare të alergjive sezonale, Zogaj, ka thënë se kjo është një arsye e fortë që njerëzit të tregohen të kujdesshëm dhe t’i trajtojnë alergjitë me kohë.

“Është një sëmundje mashtruese, pasi simptomat janë shumë të thjeshta, sikur një ftohje, fillojnë me teshtima, me bllokim të hundëve, rrjedhje të hundëve, sytë skuqen, kruhen lotojnë. Dhe në këtë fillim të gjithë mjekët mashtrohen duke menduar se kanë të bëjnë me një ftohje. Me kalimin e viteve pacientët fillojnë të kenë kollitje, një si spirë, apo lëmsh në fyt dhe me kalimin e viteve nëse pacientëve nuk mjekohen si duhen, kanë ftohje të shpeshta, dhe fundi është me astmë kronike. Të dhënat nga vendet e ndryshme evropiane kanë vërtetuar se një numër i madh i pacientëve përfundojnë me astmë kronike”, ka thënë Zogaj.

Sipas tij, alergjitë janë sëmundje trashëguese, që barten nga anëtarët e familjes, por që siç ka thënë, jo të gjithë anëtarët mund ta trashëgojnë atë.

Zogaj ka dhënë edhe disa këshilla për ata që vuajnë nga alergjitë sezonale, siç janë polenet e ndryshme.

“Të gjithë ata që kanë alergji në polene, duhet të kenë kujdes nga ora 12:00 deri në ora 4-5 pasdite të mos dalin jashtë sepse kur është nxehtë këto polene qohen në atmosferë dhe hyjnë më lehtë në rrugët e frymëmarrjes. Rrobat e pacientëve duhet të thahen brenda jo jashtë. Dritaret e dhomës ku qëndron pacienti duhet të jenë të mbyllura, vetëm në mëngjes të hapen për ajrosje”, është shprehur Zogaj.