Arbëri

Rohde nga Merdari: Autoritetet kosovare dhe serbe po u mundësojnë votuesve kalim të lehtë në kufij

Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, bashkë me homologen e tij franceze, Marie-Christine Butel, kanë vizituar të dielën pikën kufitare Merdar që lidh Kosovën me Serbinë.

Kjo vizitë e tyre ka ndodhur si shkak i lëvizjeve të shpeshtuara të dielën nëpër pikat kufitare që lidhin Kosovën me këtë vend, meqë po zhvillohen zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale atje.

Nëpërmjet një postimi në Twitter, Rohde ka thënë se ka vërejtur bashkëpunim të mirë midis autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë për t’ua mundësuar votuesve serbë të kalojnë kufirin për të votuar.

“Së bashku me ambasadoren e Francës në Kosovë vizituam pikën kufitare në Merdar. Pamë një bashkëpunim të mirë midis palëve. Siç ka premtuar, Kosova ka shtuar personelin në pikat përkatëse kufitare për të mundësuar kalime të qeta kufitare, në mënyrë që votuesit të kalojnë lehtësisht”, ka shkruar Rohde.

Policia e Kosovës ka njoftuar gjatë mëngjesit të së dielës se situata është e qetë dhe stabile në aspektin e sigurisë.

“Pritjet janë shkaktuar në dalje nga Kosova drejt Serbisë në dy pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak, si pasojë e qarkullimit të shtuar të automjeteve në këto dy pika kufitare, si pasojë e punës së ngadalësuar nga autoritet serbe duke aplikuar hyrjen vetëm me një korsi si dhe aplikimit të procedurave të stikersave”, thuhet në njoftimin e Policisë.