Arbëri

Sipas Mehmetit, policët që morën pjesë në Këshill të Sigurisë së Serbisë kryen vepër penale

Autoritetet e Kosovës nuk kanë shqiptuar asnjë masë ndaj eprorëve serbë të Policisë së Kosovës në veri, për pjesëmarrjen e tyre në Këshillin e Sigurisë të Serbisë.

Për këtë, deputetët i kanë kërkuar llogari drejtorit të përgjithshëm të Policisë, Samedin Mehmeti, gjatë raportimit të tij në Komisionin parlamentar për Siguri.

Mehmeti pranoi se me veprimin e tyre, policët kishin kryer vepër penale.

“Ne kemi vlerësuar që ata kanë shkuar dhe sipas nesh kanë bërë vepër penale, ose dyshohet se kanë bërë vepër penale. Për këtë arsye edhe i kemi dërguar në Inspektorat. Jemi duke pritur se cilat do të jenë masat që i ka ndërmarrë Inspektorati ose do t’i ndërmarrë”, ka sqaruar ai.

Për veprim të njëjtë sikur të këtyre eprorëve policorë, Këshilli Gjyqësor ka suspenduar kryetaren e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, masë që ka nxitur bojkot të punës nga shumë zyrtarë serbë, veçmas në veri të vendit.

Edhe një çështje që lidhet me veriun është bërë shkak për polemikë. U kualifikua si e pavërtetë informata se njësitë speciale kishin shkelur për herë të parë në veri shtatorin e vjetëm, gjatë aksionit për reciprocitetin për targa.

“Kur ju ka pritur kryeministri Kurti në takim juve dhe udhëheqësit e njësive speciale, i keni thënë kryeministrit është hera e parë, urime, që këmba e njësive speciale po shkel në veri, që është e pavërtetë e madhe”, u shpreh deputeti i PDK-së, Rashit Qalaj.

“Të jeni të sigurt të gjithë ju, jo vetëm ju zoti Qalaj, se unë asnjëherë nuk kam thënë që këmba e policit të Kosovës nuk ka shkelur në veri, se ajo do të ishte gënjeshtër e madhe”, është përgjigjur Mehmeti.

Në këtë mbledhje Komisioni, nga deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, drejtori i policisë u pyet edhe për arrestimin e 50 policëve kufitarë për korrupsion.

“Disa i kanë ngarkuar me atë që nuk e kanë bërë pa fakte, pa asgjë. Kam dëshirë ta di, se i kanë koritur këta njerëz, kush e ka nisur këtë operacion, a kanë pasur argumente a kanë pasur prova të mjaftueshme, qysh arrestohen 50 policë bre vëlla?”, ka pyetur Berisha.

“Këto hetime janë zhvilluar ekskluzivisht prej IPK-së dhe besoj IPK-ja mundet me ju dhënë informacione, a janë arrestuar për 20 euro a 20 mijë, apo për çka i kanë arrestuar e di IPK-ja, e di prokurori, e jo na”, është përgjigjur drejtori i Policisë.

Për pyetjet dhe kritikat ndaj Mehmetit, deputeti i pushtetit, Enver Dugolli, akuzoi opozitën se po bënin politikë me policinë. Por, mori kundërpërgjigje.

“A bëhet politikë në Parlamentin e Kosovës, nuk ma merr mendja, këtu nuk është vendi për t’u bërë politikë, politika duhet të bëhet në ara”, ishte përgjigja e Berishës së AAK-së.

Si ish-drejtor i Policisë, Qalaj këshilloi Mehmetin që të rrijë larg politikës.

Vetë Qalaj, i cili e dha këtë këshillë, me të dalë nga policia i ishte bashkuar politikës, duke aderuar në PDK.