Arbëri

IKSHPK-ja me apel: Po përhapen dy variante të Omicronit

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës u ka bërë apel qytetarëve që të vaksinohen dhe të bartin maskat. Instituti ka thënë se dy variante të Omicronit (BA.1 dhe BA.2) po vazhdojnë të përhapen dhe po ka pasoja të rënda për shëndetin e qytetarëve e po ashtu raste fataliteti.

“Virusi është kudo andaj mos neglizhoni rekomandimet themelore: maska, distanca, higjiena. Shmangni udhëtimet e panevojshme, qëndroni në shtëpi dhe ajrosni ambientet e mbyllura. IKSHPK është duke vazhduar pandërprerë me testimin dhe gjurmimin e të gjitha rasteve, kontakteve të rasteve në komunitet dhe diagnostikimin laboratorik andaj të gjithë personat me kokëdhembje, kollitje, dhembje fyti, vështirësi në frymëmarrje, rrjedhje hundësh, temperaturë, plogështi, humbje e shijes, rekomandohen të testohen. Situata epidemiologjike akoma është e rëndë, e javët e fundit me rritje të rasteve në Evropë dhe në botë, andaj IKSHPK apelon tek të gjithë qytetarët që të respektohen masat e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Na ndihmoni që të ju ndihmojmë!” – thuhet nga IKSHPK.

Instituti ka bërë thirrje që të mos ketë grumbullime, e po ashtu u ka bërë thirrje edhe institucioneve që të mbikëqyrin me përpikëri masat.

Omicron është tejet ngjitës, andaj mbani maskat në çdo vend, mbani distancën mbi dy metra edhe në mjedise të hapura edhe po qe se të gjithë bartin maska! Duke qenë se vaksinimi është mënyra më e mirë dhe më e sigurt për të parandaluar COVID-19, veçanërisht format e rënda të sëmundjes dhe vdekjet, ne vazhdojmë të apelojmë fuqishëm për vaksinim sa më gjithëpërfshirës, sa më të gjerë dhe sa më të shpejtë të popullatës nga mosha 12 vjeçare. Vaksinat mund të merren çdo ditë në të gjitha institucionet e kujdesit parësor në komunën tuaj. Gjithashtu apelojmë për vaksinimin me dozën përforcuese dhe dozën e tretë që mund ta marrin të gjithë qytetarët e moshës mbi 18 vjeçare. Vaksinohuni dhe ftoni të tjerët të vaksinohen!” – thuhet nga Instituti.