Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se partia e tij nuk do të heqë dorë nga themelimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për të shikuar gjithë ecurinë e shpenzimeve të afro 100 milionë euro për të menaxhuar krizën energjetike.
Në Kuvendin e Kosovës nuk kishte kaluar pika e themelimit të Komisionit.
“Kjo nuk është vetëm përpjekje për të shmangur transparencën si parim, por edhe përpjekje direkte për të fshehur të vërtetën dhe për të shmangur transparencën si obligim. Qytetarët e Kosovës, të cilëve ZRRE-ja me bekimin e qeverisë Kurti ua ka rritur faturat e energjisë elektrike, kanë të drejtë të kuptojnë dhe duhet ta kuptojnë se në cilat linja, konkretisht për çfarë dhe se si janë shpenzuar mbi 100 milion euro nga taksat e tyre. Këtë të drejtë, pushteti mund të jetë përpjekur t’ua mohojë dje, por ne s’do ta lejojmë një padrejtësi të tillë. Grupi Parlamentar i PDK-së, së bashku me deputetë të tjerë të opozitës, do të mbledhin nënshkrimet për themelimin e Komisionit Hetimor lidhur me këtë çështje, themelimi i të cilit pas refuzimit të mazhorancës, konfirmon se nuk kemi të bëjmë vetëm me dyshime të bazuara, por me të vërteta që duhet t’i dinë qytetarët, e të cilat pushteti po tenton t’i evitojë. Transparenca është karakteri i një qeverisjeje. Një pushtet që proklamon veten si pushtet i drejtë, përse do të duhej të frikësohej nga transparenca?” – ka shkruar Krasniqi në Facebook.