Arbëri

Surroi: “Bota Serbe”, ide e Kishës së Serbisë

Deklarata e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq se Kosova ka për ta sulmuar Serbinë është pjesë e fushatës së tij parazgjedhore. Kështu ka deklaruar publicisti dhe shkrimtari Veton Surroi për emisionin ‘Aritmija’ të televizionit malazez Gradska RTV. Ai ka thënë se Kosova nuk ka pasur e as do të ketë kurrë për qëllim të sulmojë këdoqoftë, ndërsa kanosja e Vuçiqit ndaj Kosovës dhe Malit të Zi për ‘pasojat e rënda’ nuk i ndihmon paqes në Ballkan. Sikurse transmeton KDP-ja, portali i këtij televizioni e citon si ‘deklaratë të ditës’ vlerësimin e Surroit se “ideja për ‘botën serbe’ nuk është politike, por parapolitike”. “Ajo është produkt i natyrshëm i Kishës së Serbisë e cila mëton të bëhet ‘mburojë’ për popullin serb, ashtu sikurse është Kisha Ortodokse Ruse për popullin rus. Në kishën e Serbisë ekziston interpretimi se ata janë beden i serbizmit dhe se ‘bota serbe’ është aty ku shtrihet kisha”, ka thënë Surroi.

“Mendoj se do të ishte në mirë që presidenti i Serbisë të vë në dukje se do të jetë e nevojshme marrëveshja me Malin e Zi, me Kosovën, me të gjithë fqinjët. Ka kaluar koha e kërcënimeve. Këtë film tashmë e kanë shikuar me Milosheviqin dhe për askënd nuk përfundoi mirë. Prandaj, mendoj se ka ardhur koha që ky diskurs tensionesh, ky fjalim që është kundër paqes, të ndryshojë në gjithë rajonin dhe që në fakt të mendohet se si në këtë situatë të re historike që e kemi me Ukrainën, me invadimin e Ukrainës nga ana e Rusisë, të ndryshojë kjo paradigma e fjalimeve zë luftës, fjalimeve të urrejtjes e kërcënimeve në fjalime të bashkëpunimit, të paqes, të vendosjes së marrëdhënieve të reja”, ka thënë tutje ai.

Duke rikujtuar se vetëm gjatë kohës së qeverisë së të ndjerit Zoran Gjingjiq, nga Beogradi zyrtar nuk ka pasur qëndrim ndryshe ndaj Kosovës, Surroi vlerëson se që nga vrasja e tij, vazhdon ‘trendi negativ’. “E kemi këtë trend negativ që ka rolin e vet dhe që edhe nuk është pa lidhje kauzale fakti se kjo vrasje e kryeministrit Gjingjiq dhe kthesa në politikën serbe që ka të bëjë me Kosovën dhe jo vetëm me të por edhe me gjithë rajonin. Gjatë disa viteve të fundit kemi regresion në marrëdhëniet e Serbisë me gjithë rajonin. Kemi konflikte të papërfunduara në Kosovë. Kemi situatë të papërfunduar në Bosnjë e Hercegovinë sa i përket legjitimitetit dhe rregullimit kushtetues dhe mënyrës në të cilën qytetarët e Bosnjë e Hercegovinës e ndjejnë shtetin e vet dhe funksionalitetin e shtetit të tyre. Mirëpo nuk kemi pasur, fjala vjen, para vrasjes së zotit Gjingjiq, situata në të cilat mohohet e drejta e malazezëve që të quhen dhe të ndjehen ashtu sikurse dëshirojnë ata, ose nuk ka pasur përçapje që me një nismë dhe lëvizje klerikaliste, populiste, të ndërrohet jo vetëm pasqyra politika në Mal të Zi, por potencialisht edhe rregullimi kushtetues i vendit. Këto janë trende brengosëse të dhjetëvjeçarit të fundit”, ka shtuar Surroi.

Surroi thotë se ish-Jugosllavia, në çintegrimin e saj, shërbeu si poligon për politikën e re ruse pas sundimit të Boris Jelcinit.

“Ideja e ndryshimit të kufijve tani është zhvendosur nga Ballkani Perëndimor në ish-Bashkimin Sovjetik, ku edhe lindi. Reperkusionet dhe presionet janë të mundshme edhe në Ballkanin Perëndimor, në mënyrë që komuniteti euroatlantik ta dijë se Putini nuk do të tërhiqet lehtë nga këtu”, ka theksuar Surroi duke nënvizuar se në rajon, në mesin e të gjithë fqinjëve të Serbisë, duhet të ketë frikë që të mos ngrihet një mini-kufi i ri ndërmjet Euroazisë dhe Evropës në Ballkan dhe që Serbia të mos bëhet një enklavë euroaziatike, gjë që nuk është e natyrshme. Ai ka thënë se populli serb është popull evropian dhe Serbia duhet të jetë shtet evropian.

“Ideja për ‘botën serbe’ nuk është politike, por parapolitike. Ajo është produkt i natyrshëm i Kishës së Serbisë e cila mëton të bëhet ‘mburojë’ për popullin serb, ashtu sikurse është Kisha Ortodokse Ruse për popullin rus. Në kishën e Serbisë ekziston interpretimi se ata janë beden i sërbizmit dhe se ‘bota serbe’ është aty ku shtrihet kisha”, ka deklaruar Surroi.

Kisha e Serbisë, rikujton Surroi, iu bashkua direkt “lëvizjeve revolucionare” sepse e pa se në këtë mënyrë mund të kontrollonte proceset politike.

“Këtë frymë është e vështirë ta rifusësh në shishe dhe të kesh bashkëjetesë shpirtërore dhe kreative në një shoqëri mes shtetit nga njëra anë dhe fesë nga ana tjetër, si faktorë totalisht të pavarur shoqërorë”, ka vlerësuar publicisti dhe shkrimtari i njohur nga Prishtina. Në këtë shtrirje, ai çmon se çështja e Ballkanit Perëndimor po bëhet një çështje e sigurisë evropiane, sepse siguria evropiane është bërë çështje më vete. Ballkani Perëndimor nuk është problem, problemi është Ukraina, ka theksuar Surroi.

“Nëse punoni shkel e shko, si në 20 vitet e fundit, atëherë problemet nuk do të zgjidhen vetë. Nuk ka evolucion historik linear sipas të cilit, pas rënies së komunizmit, pushtetet u zgjodhën në mënyrë demokratike, procesi i çintegrimit përfundoi, dhe kjo natyrshëm do të çojë në reformën e shoqërisë dhe këto shoqëri do të jenë gati për në BE dhe në NATO. Jo, sepse konfliktet nuk kanë mbaruar. Kosova ka problem, sepse Serbia nuk e pranon realitetin, njësoj sikurse nuk e pranon faktin që Mali i Zi dhe malazezët kanë të drejtën e identitetit të tyre. Të njëjtin problem e kemi në Rusi, e cila nuk pranon që Ukraina të ketë identitetin e vet etnik, politik e konstitucional”, ka vlerësuar Surroi.

Duke komentuar projektet për ‘shtetet e mëdha serbe, kroate e shqiptare’, Veton Surroi ka ritheksuar se sa i përket nacionalizmit shqiptar, nuk ekziston projekti për atë që quhet Shqipëri e Madhe, sepse, argumenton, ‘themelet i kemi rregulluar ndryshe’ gjatë viteve të nëntëdhjeta.

“Ne e kemi thënë shprehimisht se çfarë duhet të ndodhë në rajon me çështjen kombëtare shqiptare dhe deri më tani ka shkuar sipas planit. Çështja shqiptare është thellësisht e integruar në projektin euroatlantik. Ajo që ne projektuam në vitet 1990 është në fakt mundësia që shqiptarët të jetojnë në një rajon të sigurt që do të jetë pjesë e NATO-s dhe ku komunikimi mes shqiptarëve do të jetë pjesë e komunikimit mes popujve me të cilët jetojnë shqiptarët, jo kundër njerëzve me të cilët ata jetojnë. Çështja jonë kombëtare nuk u shtrua si çështje e demarkacionit, por e kohabitimit me popujt e tjerë”, ka shpjeguar Surroi.

Në Mal të Zi, tërheq vërejtjen ai, po testohet kufiri deri ku mund të preket një anëtar i paktit të NATO-s.

“Ajo që ndodhi në Mal të Zi nuk ishte një përpjekje për të minuar shtetin, kufirin, por një goditje e brendshme kundër identitetit. Në rastin malazez, rezultoi se nuk mund të transplantohet një model tjetër politik brenda Malit të Zi dhe që ai të funksionojë për një kohë më të gjatë. Mali i Zi nuk e ka kaluar procesin e stabilizimit të pushtetit. Tani shtrohet çështja se mbi ç’bazë do të stabilizohet pushteti dhe funksionaliteti. Më mbanë shpresa se kjo të ndodhë me një evolucion drejt zgjedhjeve në një atmosferë paqeje dhe që ky të jetë një proces politik, jo klerikal”, ka theksuar ai.

Sipas tij, është e rëndësishme si do të formohet qeveria, por akoma më e rëndësishme është se cilat janë pikat e marrëveshjes për natyrën tranzitore të kësaj qeverie. Veton Surroi ka vënë në spikamë edhe indiferencën e Brukselit lidhur me zhvillimet e fundit në këtë vend.

“Mali i Zi është anëtar i NATO-s dhe BE-ja e ka të qartë se këtu ekziston qëllimi për t’u anëtarësuar në të. Ekziston perspektiva, por jo edhe qëllimi i përcaktuar qartë. Kjo flet se në marrëdhëniet tona me BE-në nuk ekziston një kondicionalitet i qartë që domethënë se ata janë marrë më shumë me punët e tyre të brendshme”.

Surroi është i bindur se problemi i integrimit të Malit të Zi mund të zgjidhet në një kohë shumë të shkurtër, por me vullnet të mirë dhe me energji të madhe politike. Kjo, shton ai, do t’i tregonte Rusisë se problemet e identitetit shtetet mund t’i zgjidhin në rrugë evropiane, jo duke shtënë mbi njerëz vetëm e vetëm pse mendojnë se i përkasin njërit ose një identitetit tjetër. Nga ky këndvështrim, Veton Surroi përjashton kategorikisht çfarëdo ngjashmërie ndërmjet Krimesë dhe Kosovës. “Në Kosovë pati ndërhyrje shumëpalëshe dhe shumëkombëshe për të parandaluar gjenocidin. Rezoluta 1244 është produkt i mundit të përbashkët diplomatik ruso-amerikan dhe evropian. Rusia, nga ana tjetër, në Ukrainë ndërmori hapa ekskluzivisht të njëanshme”, ka transmetuar KDP intervistën e Veton Surroit për median e pavarur malazeze Gradska RTV.

Përgatiti Seladin Xhezairi nga Klubi i Debatit Politik